Liderët e bashkësive fetare në RMV: Të qetësohen tensionet ndëretnike

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që jetojnë në këtë shtet, të mos bien pre e përpjekjeve të caktuara, që kanë për qëllim të shkatërrojnë mirëqenien dhe bashkëjetesën mes komuniteteve të ndryshme.”, ishte kjo thirrja e të gjitha bashkësive fetare në vend, të cilët dolën me deklaratë të përbashkët, duke apeluar për uljen e tensioneve ndërmjet komuniteteve dhe kërkojnë nga qytetarët të ruajnë respektin e ndërsjellë dhe të mos bien pre e provokimeve.
“Të jetosh në një shoqëri multikulturore është bekim i madh. Takimi me kultura të ndryshme sjell mundësi për fisnikërimin e shpirtit të njeriut dhe rrit kreativitetin e gjithë shoqërisë. Zoti ka dashur që ne të jetojmë në një vend të përbashkët, për këtë, ne, krerët e Kishës Ortodokse të Maqedonisë – Arkipeshkia e Ohrit, Bashkësisë Fetare Islame, Kishës Katolike, Kishës Evangjeliste Metodike dhe Bashkësisë Hebraike, i thërrasim të gjithë qytetarët e Maqedonisë, të mos bien pre e disa tentimeve për prishje të bashkëjetesës, por të gjithë së bashku të mbështesim njëri-tjetrin, ta thellojmë solidaritetin dhe ta ruajmë respektin ndaj njëri tjetrit, ndaj simboleve të atdheut tonë dhe simbolet e të gjitha komuniteteve në këtë vend.”, – deklaroi dhjaku u Kishës Ortodokse të Maqedonisë së Veriut, Dragan Ivanov.
Tensionet e fundit ndëretnike në Maqedoninë e Veriut kanë bërë bashkë krerët fetarë, të cilët nënshkruan deklaratë të përbashkët për ruajtjen e bashkëjetesës. Deklarata u nënshkrua nga kreu i KOM-it, ai i BFI-së, kreu i Kishës Katolike dhe i pari i komunitetit hebre. Me këtë rast, prijësit e institucioneve fetare në vend, u zotuan se do të bashkëpunojnë për të ndihmuar komunitetet që të veprojnë në frymën e harmonisë fetare dhe kombëtare. Incidentet me djegien e flamujve, atij shqiptar dhe atij maqedonas, më 28 nëntor me rastin e 112 vjetorit të shtetit shqiptar, kanë ngjallur debate në opinion dhe ka tensionuar raportet ndëretnike në vend.