Liderët e G7-tës thirrje për reforma në OBSH

Liderët e G7-tës kanë bërë thirrje për reforma në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), për atë që ata kanë thënë se është mungesë transparence në reagimin ndaj krizës globale të koronavirusit të ri (COVID-19), tha Shtëpia e Bardhë.

Marketing

Presidenti amerikan Donald Trump kryesoi një takim me videokonferencë me udhëheqësit e G7-tës, në të cilën liderët kanë diskutuar kontributet e dhëna për OBSH-në, të cilat arrijnë në më shumë se 1 miliard dollarë, sipas një deklarate nga Shtëpia e Bardhë.

“Pjesa më e madhe e bisedës u përqëndrua në mungesën e transparencës dhe keqmenaxhimit kronik të pandemisë nga OBSH”, thuhet në deklaratë.

“Udhëheqësit bënë thirrje për një rishikim të plotë dhe një proces reformimi”, theksohet më tej.

Thirrja erdhi dy ditë pasi Trump dy ditë më parë ndaloi fondet për këtë organizatë, duke e akuzuar atë se “mbështet tezat e Kinës” dhe ka dështuar të ndajë informacione në kohë me botën.

“Sikur OBSH të kishte bërë punën e saj duke dërguar ekspertë mjekësorë në Kinë për të vlerësuar në mënyrë objektive situatën në terren dhe për të njoftuar mungesën e transparencës së Kinës, sëmundja do të mund të ishte përmbajtur në burimin e tij me shumë pak vdekje”, tha Trump të martën.

SHBA i ofron OBSH-së 400-500 milionë dollarë çdo vit, ndërsa Kina kontribuon me rreth 40 milion dollarë, sipas presidentit të amerikan.

“Liderët e G7-tës ranë dakord të qëndrojnë të angazhuar për të ndërmarrë çdo masë të nevojshme për të siguruar një reagim të fortë dhe të koordinuar global ndaj kësaj krize shëndetësore dhe fatkeqësisë së krijuar humanitare dhe ekonomike dhe për të filluar një rikuperim të fortë dhe të qëndrueshëm”, tha Shtëpia e Bardhë.

G7 përbëhet nga SHBA, Kanadaja, Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia.