Shtetet e Bashkuara vranë udhëheqësin e Al Kaidës në Gadishullin Arabik, tha presidenti Donald Trump.
Qasim al-Raymi, i cili ka udhëhequr grupin xhihadist nga viti 2015, është vrarë në një operacion të SHBA-së në Jemen, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
“Shtetet e Bashkuara, interesat tona dhe aleatët tanë janë më të sigurt si rezultat i vdekjes së tij”, thuhet në njoftim.
Al-Raymi ka qenë i lidhur me disa sulme kundër interesave perëndinmorë në vitet 2000.
Ai ka marrë përsipër udhëheqjen e grupit pasi paraardhësi i tij është vrarë në një sulm të SHBA-së me dron.
Al Kaida në Gadishullin Arabik është formuar në vitin 2009 nga dy degë të Al Kaidës në Jemen dhe në Arabinë Saudite, me qëllim të, siç është thënë, rrëzimit të qeverive të mbështetura nga SHBA-ja dhe të eliminimit të ndikimit perëndimor në rajon.