Lideri i opozitës ruse ende në gjendje të rëndë shëndetësore

Kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny, i cili ndodhet në gjendje kome në një spital të Berlinit, pas asaj që aleatët e tij e përshkruajnë si një helmim, vazhdon të jetë në një gjendje të rëndë, tha zëdhënësja e tij, Kira Yarmysh të enjten.

Marketing

Navalny, 44 vjeç, u dërgua në Gjermani të shtunën pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua gjatë një fluturimi nga qyteti siberian për në Moskë.

Mjekët gjermanë thonë se ka shenja që sëmundja e tij është shkaktuar nga helmimi, një diagnozë që mjekët rusë e kanë kundërshtuar.

Prokurorët rusë thanë më 27 gusht se nuk ka asnjë indikacion, deri më tani, se është kryer vepër penale kundër Aleksei Navalnyt, dhe kërkuan që mjekët gjermanë, që po e trajtojnë liderin e opozitës, të ndajnë të dhënat mjekësore.

Ndihmësit e Navalnyt kanë thënë se besojnë se ai është helmuar kur ka pirë një gotë me çaj, që e ka blerë në aeroportin e qytetit Tomsk, para se të nisej në Moskë.

Për këtë arsye aeroplani është detyruar të bëjë ulje emergjente, meqë Navalny nuk është ndjerë mirë.