Shënimi i 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë ka nisur me vënien e gurthemelit të kompozicionit të shtatoreve të udhëheqësve të qeverisë së saj, një organizim i Kryeministrisë së Kosovës, që së bashku me qeveritë e Shqipërisë dhe Maqedonisë, në kuadër të shënimit edhe të vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, kanë nderuar edhe veprën e heroit tonë kombëtar.
“Lidhja e Prizrenit u përball me heshtjen e fuqive të mëdha për çështjen e shqiptarëve. Lidhja nuk jetoi gjatë, por aktet e saj janë të gjalla përjetë. Lidhja shkaktoi një jehonë të madhe në rajon e botë, ndaj dhe nuk është një relikë historike, por një vepër frymëzuese. Lidhja është një frymëzim për të rinjtë shqiptarë. E paharruar vepra e themeluesve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, do të shprehej presidenti Ilir Meta, i pranishëm në këtë aktivitet.
Në vënien e gurthemelit të udhëheqësve të qeverisë të Lidhjes së Prizrenit, Ymer Prizreni (kryeministër), Abdyl Frashëri (Ministër i Punëve të Jashtme) dhe Sulejman Vokshi (Ministër i Mbrojtjes), përveç kryeministrit Ramush Haradinaj morën pjesë edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ministra nga kabineti qeveritar, përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.
Kryeministri Haradinaj, i shoqëruar nga presidenti Meta, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, e personalitete të tjera, mori pjesë në ekspozitën e buqetave të skulptorëve për konkursin mbarëkombëtar, të cilët kanë konkurruar për kompozicionin e shtatoreve, si dhe në ekspozitën e Bankës Qendrore të Kosovës, Bankës Qendrore të Shqipërisë dhe Muzeut të Prishtinës.
Në këtë ekspozitë, në ambientet e brendshme të Lidhjes së Prizrenit u bë prezantimi i monedhave antike dhe mesjetare, si dhe i të gjitha monedhave kombëtare shqiptare që mbajnë portretin e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke filluar nga viti 1926 e deri në ditët e sotme.
Një pjesë e këtij koleksioni është përdorur edhe në Kosovë e në tokat e tjera kombëtare shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Veçantia e kësaj ekspozite është se përmban edhe monedhat përkujtimore shqiptare të vitit 2013, të cilat përkujtojnë 135-vjetorin e Lidhjes Kombëtare të Prizrenit, e gjithashtu përvjetorin e Kongresit të Manastirit.
Po në këtë ambient u shfaqën edhe simbolika nga 4 vilajetet shqiptare, ndërsa në ambientin e jashtëm u shfaq ekspozita me dokumente të Arkivit Qëndror Shtetëror të Shqipërisë dhe Agjencisë Kombëtare të Arkivave të Kosovës nga viti 1878-2018.