Lidhja Europiane për Ndryshim: BDI-ja i jep tender në vlerë prej 4 milionë euro nëntokës serbe

Këto ditë të fundvitit, kur partia shqiptare në pushtet mundohet t’u
hedhë hi syve shqiptarëve me krekosjen se po e marrin kryeministrin
teknik, i cili përveçse duhet ta mbajë të ngrohtë zyrën e kryeministrit
gjatë periudhës së dimrit, nuk do të ketë asnjë kompetencë ligjore, nga
ana tjetër po ata e thellojnë bashkëpunimin me kompani të Beogradit,
pronarët të së cilës – sipas mediave serbe – janë struktura kriminele të
nëntokës serbe. Pra, në opinion patriotë mburravecë, ndërsa prapa
kamerave i forcojnë lidhjet me Beogradin përmes oficerit për lidhje,
Përparim Bajrami.

Marketing

Këtu duam ta njoftojmë opinionin se, së fundmi, kompania “Novo VLT”, që
është në pronësi të Lotarisë Shtetërore, ku anëtarë të Bordit janë
Përparim Bajrami, Omer Bunjaku dhe Artin Spahiu, të gjithë të BDI-së, ka
firmosur një kontratë në vlerë prej 3.700.000 euro me kompaninë “HTL
Makedonija” me pronarë nga Beogradi, ndërsa përmbajtja e kësaj kontrate
është për furnizimin me 462 aparate VLT për shkatërrimin e familjes dhe
të jetës së qytetarëve tanë. Për informacion të opinionit, një vit më
parë, kur Lotarinë Shtetërore e drejtonte një drejtor i një partie
tjetër, për 500 aparate VLT është paguar 2 milionë euro, pra dyfish më
pak se tani.

Duke i pasur këto informacione, e pyesim publikisht kurbanin e Artan
Grubit, Përparim Bajramin, se a i ka dakorduar këto punë të pista në
lokalin “Lafayette Cabaret Club” në Beograd dhe në xhepat e kujt kanë
përfundur këto dy milionë euro?

Kur jemi këtu, e pyesim edhe Bashkimin Demokratik për Integrim se pse
nuk janë kaq të guximshëm për t’i mbrojtur interesat e Kosovës kur
cenohet drejtëpërdrejt integriteti i saj territorial nga terroristë
serbë, ndërsa janë kaq të zellëshm për bashkëpunim struktura
kriminogjene me Serbinë? A mos vallë janë këto biznese të pista me
nëntokën serbe arsyeja që më të zëshëm ishin dikur për projektin e
Aleksandar Vuciqit, “Ballkani i Hapur”, sesa për ta mbrojtur sot
Kosovën?!