Tre fitore të vendasve, dhe dy fitore të mysafirëve, është epilogu i pesë ndeshjeve të javës së fundit të sezonit vjeshtor. Ndeshja Struga T&L – Renova u anulua për shkak të kushteve të vështira atmosferike.
Në kushte ekstrem të vështira, në stadiumin e qytetit në Tetovë u zhvillua ndeshja e javës së 18 në Ligën e Parë të futbollit vendor, ndërmjet Shkëndijës dhe Skopjes. Pas 90 minutave lojë, ku dominuan kuq e zinjtë, ndeshja përfundoi me rezultat 1:0, autor i golit të fitores ishte Sindrit Gurri i cili shënoi në minutën e 69.
Pas përfundimit të ndeshjes, futbollisti Egzon Bejtullai për Klan Macedonia deklaroi – “Mendoj se sot ishte një ndeshje e vështirë, ishte edhe tereni shumë i keq dhe me mundin e gjithë lojëtarëve si grup arritëm që të korrim një fitore. Kishim edhe përkrahjen e Ballistëve, të cilët na kanë përkrah gjatë gjithë ndeshjes, mendoj se edhe ajo ishte një motiv plus për gjithë lojtarët, dhe kështu që e mbyllëm këtë gjysmësezon me një fitore, shpresoj që edhe sezonin tjetër të fillojmë njejtë.”
Ndeshja kampionale mes Struga Trim&Lum dhe Renovës është anuluar për shkak të kushteve të vështira të terenit. Sipas rregullave skuadra vendase është e obliguar të krijoj kushte që ndeshja të zhvillohet në afatin që është caktuar. Takimi Struga Trim&Lum – Renova, është caktuar për datën 14 dhjetor 2021.
Ndërsa në ndeshjet tjera që u zhvilluan sot u shënuan këto rezultate: Boreci – Shkupi 0:3, Rabotniçki – Makedonija GJP 1:2, Akademija Pandev – Pelister 1:0, ndërsa dje në Kavadar u mbajt ndeshja mes Tikveshit dhe Bregallnicës që përfundoi me rrezlutat 1:3.
Pjesa dytë e kampionatit në Ligën e Parë të futbollit është caktuar të fillon me datë 13 shkurt 2022./KlanMacedonia/