Liga e Parë: Shkëndija në Tetovë pret kampionët

Java e 32 në elitën e futbollit vendor që në program zhvillohet sot, ndërsa do të sjellë super derbin shqiptarë mes Shkëndijës nga Tetova dhe kampionit të ri në vend FC Shkupit. Skuadra e Shkëndijës pas humbjes në mesjavë në fushën e Akademija Pandevit me rezultatin 4:2, të dielën para tifozëve vendas do të kërkojë të rikthehet të rezultatet pozitive. Kuqezinjtë renditen të tretët në tabelë dhe me një tjetër gabim do të rrezikonin pozitën e tretë që i mundëson daljen në garat evropiane, pasi ekipi i Makedonija GJ.P është vetëm dy pikë larg.

Marketing

Nga ana tjetër edhe pse ekipi nga Çairi tanimë ka siguruar titullin e kampionit, ata do të udhëtojnë drejt Tetovës për të treguar se me meritë kanë arritur të jenë kampionë.

Mbrojtësi i Shkëndijës, Bruno Dita para derbit me Shkupin ka theksuar se ekipi duhet të harrojë sa më shpejtë humbjen nga Akademija Pandev dhe se të dielën në Tetovë duhet të luajnë për fitore.

“Duhet sa më shpejt të harrojmë ndeshjen e fundit që e humbëm gjatë mesjavës në Strumicë dhe në ndeshjen e radhës duhet të futemi me motivacion të lartë. Mesiguri që nuk do të jetë ndeshje e lehtë, por neve na duhet fitorja patjetër dhe besoj se me përkushtim maksimal në çdo pjesë të fushës, nga kjo ndeshje do të dalim me trepikëshin. Pasi kjo ndeshje njëherit është edhe ndeshja e fundit që e luajmë në shtëpi përpara tifozëve tanë, shpresoj se do të bëjmë paraqitje të mirë dhe do të gëzojmë tifozët”, theksoi mbrojtësi i kuqezinjve Bruno Dita.

Nga ana tjetër portieri i FC Shkupit, Artan Iljazi ka theksuar se skuadra në Tetovë udhëton për fitore, për të treguar se titulli i kampionit nuk ka ardhur rastësisht. “Ne jemi përgatitur maksimalisht gjatë gjithë javës për ndeshjen ndaj Shkëndijës. E dimë se është një skuadër me kualitet por ne shkojmë në Tetovë për të fituar dhe të tregojmë se nuk jemi shpallur rastësisht kampionë”, deklaroi Artan Iljazi.

Ndeshje interesante do të zhvillohet edhe në Shkup, ku skuadra e drejtuar nga trajneri Muharrem Bajrami në shtëpi pret ekipin e Struga Trim Lum. Skuadra e Makedonija Gj.P pas barazimit të mërkurën me FC Shkupin, ndaj ekipit strugan kërkon tri pikë të reja për tu ofruar edhe më shumë te pozita e tretë. Ndërkaq, nga skuadra e Struga Trim Lum edhe pse kanë siguruar qëndrimin në elitën e futbollit vendor, kërkojnë një tjetër rezultat pozitiv për të ruajtur pozitën e pestë në tabelë.

“Presim të jetë një ndeshje e luftuar nga të dyja skuadrat, edhe pse ne jemi më të relaksuar sesa kundërshtari ynë. Arsyeja e vetme është se ato luftojnë për vendin e tretë, ndërsa për ne është pak më relaksuese duke e ditur se jemi larg nga pozita që shpien në garat europiane. Mirëpo duam të kryejmë sezonin sa më lartë në tabelën e klasfikimit dhe të mbetemi në vendin e pestë, duke shikuar ndeshjet e fundit ku po luajmë futboll shumë të mirë, ku në 3 ndeshjet e fundit kemi marrë 7 pikë. Makedonija GJ.P në aspekt psiqik do të jetë me ngarkesë më të madhe se sa ne, ashtu që mendoj se pikërisht këtu është shansi ynë që të dalim me pikë të plota nga kjo transfertë e vështirë”, deklaroi Dardan Miftari trajner i portierëve te Struga Trim Lum.

Në përballjet tjera që do të zhvillohen sot, skuadra e Renovës është nikoqire e Skopjes, Pelisteri pret Borecin, Bregallnica luan me Pelisterin dhe Akademija Pandev përballet me Rabotniçkin.

Marketing