Kuvendi miratoi ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për shoqatat dhe fondacionet dhe Ligjin për partitë politike, të cilat dënojnë promovimin e fashizmit dhe nazizmit. Të dy ligjet janë miratuar me procedurë të shkurtuar, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Amendamentet e propozuara ligjore i të dy partive rezultuan me sukses, pas hapjes së klubeve bullgare në vend me emrat “Vanço Mihajllov” më 16 prill në Manastir dhe “Car Boris Treti” më 7 tetor në Ohër.
Më 17 tetor, deputetët i dhanë mbështetjen e tyre, në procedurë të shkurtuar, miratimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shoqata dhe fondacione, të paraqitur nga partia opozitare OBRM-PDUKM.
Sipas ndryshimeve të miratuara në Ligjin për shoqatat dhe fondacionet, tani është e ndaluar të themelohet një organizatë nëse programi dhe objektivat kanë për qëllim mbështetjen, inkurajimin dhe miratimin e fashizmit, nazizmit, nacionalsocializmit dhe “Rajhut të Tretë”.
Të gjitha shoqatat kanë afat prej tre muajsh për të përshtatur emrat e tyre me dispozitat e reja, ndërsa ato që nuk e bëjnë një gjë të tillë do të fshihen nga Regjistri Qendror me vendim të Ministrit të Drejtësisë, që është e obliguar të marrë vendim për ndalim brenda katër muajve pas hyrjes në fuqi të ligjit./Telegrafi/