Oda ekonomike, Lidhja e odave ekonomike dhe Lidhja e odës për turizëm, në maj kanë parashtruar kërkesë për sjellje të garancisë bankare prej 100 mijë eurove për hapje të agjencisë turistike. Në lidhje me këtë, tour-operatorët kanë mendime të ndryshme. Një pjesë e agjencive turistike pajtohen me nismën, ndërsa një pjesë e tyre jo. Një pjesë e tyre vlerësojnë se me garanci do të mbrohen nga konkurrenca jolojale, do të zvogëlohet mundësia për manipulim me pasagjerët dhe do tu sigurohet udhëtim i sigurte.
“Ne e përkrahim propozimin për sjelljen e garancisë në para për regjistrimin e një agjencie turistike, për shkak të faktit se në këtë mënyrë do të ulet konkurrenca jolojale dhe do të mënjanohet mundësia për manipulim me turistët. Në këtë rast do të ulet mundësia e agjencive të huaja që të hyjnë në tregun maqedonas”, tha Blerta Zeqiri, A.T. Aurora.
“Në treg ka shumë agjenci turistike që janë konkurrencë mes vete dhe secila agjenci e cila merret me veprimtari të këtillë, duhet të ketë garanci bankare. Kjo është garanci jo vetëm për turistët, por edhe për ne si bashkëpunëtor sepse nënshkruajmë marrëveshje me ta për shitjen e aranzhmanëve tona”, u shpreh Snezhana Zelenikovska, A.T. Fibulla.
Të tjerët akuzojnë se agjencitë më të mëdha turistike dëshirojnë të krijojnë monopol. Nëse një gjë e tillë ndodh, agjencitë më të vogla paralajmërojnë se do të bashkohen, do të punojnë turizëm receptiv, do të shesin linja të drejtpërdrejta dhe do të jenë konkurrencë e drejtpërdrejtë.
“Ne nuk mbrohemi nga konkurrenca e jashtme, por ata paralajmërojnë mbrojtje nga shitja on-line në mënyrë joligjore, gjë që shkakton mbyllje të agjencive të vogla të cilat punojnë mirë. Është gabim i madh, për shkak se garancia nuk garanton asgjë”, u tha Goran Janevski, A.T. Kompas.
Agjencitë më të vogla turistike, pajtohen se duhet të ketë kontroll më të madh nga ana e shteti në lidhje me atë se kush çka punon, por andaj paguhet tatim. A po përgatiten ndryshime të Ligjit për turizëm që të tejkalohen problemet e tour-operatorëve dhe a është shqyrtuar kërkesa për garanci bankare? Në lidhje me këtë, përgjigje kërkuam nga ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
“Sa i përket garancisë bankare, ne, Ministria e ekonomisë, i shqyrtojmë të gjitha propozimet e tyre, njëkohësisht punon edhe grupi i punës. Do të dalim së shpejti me masa konkrete dhe do ta ndryshojmë ligjin. Agjencitë kanë vetëm polisë sigurimi, ndërsa jemi duke menduar për të sjellë edhe garanci bankare me qëllim që qytetarët të cilët shkojnë në pushime përmes agjencive turistike, të jenë më të mbrojtur”, u shpreh Kreshnik BekteshI, Ministër i ekonomisë.
Konkurrenca jo-lojale del nga shfrytëzimi i përfitimeve nga teknologjia bashkëkohore, e cila kursen kohë, posaçërisht më të rinjve të cilët më së shumti rezervojnë bileta dhe aranzhmane përmes internetit. Por, kjo nuk është arsyeja e vetme që shumë pak të rinj janë klient të agjencive, arsyeja tjetër, sipas tyre është migrimi masiv.