Ligji për amnisti, Selmani: Ka diskoordinim brenda koalicionit

Edhe pse Propozim-ligji për amnisti është dorëzuar në Kuvend, nuk dihet nëse si i tillë do t’i kalojë filtrat apo do të pësojë ndryshim, pasi nga LSDM-ja që është pjesë e koalicionit qeverisës paralajmërojnë amendamente. Kjo situatë sipas njohësit të rrethanave politike, Imer Selmani, është një diskoordinim brenda koalicionit dhe doemos duhet të sqarohet për qytetarët e sidomos për ata që janë në pritje të këtij ligji. Kjo nuk është porosi e duhur dhe e mirë për qytetarët e vendit tonë dhe se bashkëpunimi lehtë mund të arrihet nëse nuk kanë agjenda të fshehura njëri pas tjetrit.

Marketing

“Është shqetësuese, nuk është mirë dhe është e papranueshme që paraprakisht ata nuk kishin apo nuk kanë bërë një akordim të Ligjit, por tani kur Ligji vjen në Parlament, paraqesin shqetësimet e tyre. Sikur kemi një diskoordinim brenda partnerëve të koalicionit dhe jep një porosi se diçka nuk funksionon brenda. Kjo është shqetësimi, por nga prizma e qytetarëve. Në të vërtetë, vet partnerët e koalicionit, unë mendoj se kanë 101 interesa tjera, që të ruajnë koalicionin dhe të jenë brenda Qeverisë dhe se nuk do të jetë një mosmarrëveshje lidhur me një ligj, arsyeja për t’u prishur Qeveria dhe koalicioni, veçanërisht tani kur këtë Qeveri e presin punë më të mëdha.”, – deklaroi ish-politikani, Imer Selmani.

Dje, ministri Spasovski tha se ky ligj nuk do të ketë efektet që pretendohen të arrihen dhe se në këtë mënyrë nuk do të lirohen hapësirat në institucionet ndëshkuese përmirësuese, duke shtuar se ky është qëndrimi i tij personal. Ndërkohë kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, disa herë ka deklaruar se deputetët e partisë së tij do të bllokojnë ligjin, pasi sipas tij pushteti dëshiron të lirojë kriminelë.