Ligji për antikorrupsion rikthehet me flamur evropian

Qeveria e tërhoqi Propozim-ligjin për parandalim të korrupsionit dhe përplasjen e interesave, i cili ka qenë në procedurë kuvendore. Vendimi është marrë në seancën e mbrëmshme qeveritare. Nuk jepen arsyet e tërheqjes së ligjit, por meqë propozim ndryshimet në këtë sferë për një kohë më të gjatë ishin në debat publik, do duhet të bëhen korrigjime të caktuara për të cilat ekspertët, qytetarët, deputetë, dhanë kritika.

Marketing

Qeveria ka qartësuar se dëshiron të përshpejtojë votimin e këtij ligji, pasi Maqedonia tashmë një kohë të gjatë nuk ka një trup për monitorimin e aferave korruptive të funksionarëve dhe për këtë gjë, ligjin do ta rikthejë në Parlament me flamur evropian, që ta përshpejtojë procedurën.

“Në këtë seancë, Qeveria e RM-së mori vendim që ta tërheq nga Kuvendi, Propozim ligjin për parandalim të korrupsionit dhe përplasjen e interesave dhe përmes procedurës së përsëritur ky propozim ligj, nga pakoja reformuese nga legjislativa, të marrë flamur evropian që të përshpejtohet procedura për miratimin e tij në shtëpinë ligjvënëse dhe të zgjedhet Komisioni i ri shtetëror për parandalim të korrupsionit sipas kritereve të reja të caktuara në vendimin e ri ligjor”, thonë nga Qeveria.

Tashmë më shumë se nëntë muaj, Maqedonia funksionon pa një ekip anti korrupsioni, pasi që ekipi i kaluar, dha dorëheqje në muajin mars të këtij viti, pas skandalit të keqpërdorimeve të buxhetit që e zbuluan gazetarët. Ekipi i kaluar i Antikorrupsionit u kap me keqpërdorime të parave publike, me llogari fiktive për transport ose udhëtime, por edhe me rroga shtesë që nuk u takonin me ligj. Madje kishte anëtarë të cilët kishin marrë bonuse për pjesëmarrje në mbledhje, edhe kur nuk kishin qenë prezent.

Sipas propozim ndryshimeve në Ligjin për Komisionin antikorrupsion, ky trup do duhet me vetë iniciativë të nisë procedura hetimore, dhe të ndjekë vazhdimisht lëvizjet e pasurisë së funksionarëve. Edhe noterët dhe përmbaruesit do të detyrohen të dorëzojnë të dhëna të sakta për pasurinë e tyre tek Komisioni për parandalim të korrupsionit. Komisioni antikorrupsion do ketë mundësi që në çdo kohë, të kërkojë të dhëna bankare për persona fizik dhe juridik dhe kjo nuk do të paraqet shkelje të fshehtësisë bankare.

Me propozim ndryshimet ligjore, Komisioni do të numërojë 5 anëtarë, dy më pak se me ligjin e vjetër dhe ato do të kenë mandat 5 vjeçar, pa mundësi për rizgjedhje. Nënkryetari i komisionit do të ndërrohet me rotacion, çdo gjashtë muaj.
Një anëtar i Komisionit Antikorrupsion, nuk guxon të ketë qenë deputet ose funksionar shtetëror ose anëtar partie, në të paktën dhjetë vitet e fundit. Do duhet të ketë arsim të lartë në fushën shkencore, ekonomike ose politike. Do duhet të ketë të paktën 15 vite përvojë pune, me të paktën dhjetë vite punë në fushën e luftimit të korrupsionit.

Personat që do të kandidojnë për anëtarë të Komisionit për parandalimin e korrupsionit, do të intervistohet publikisht, në Komisionin e Kuvendit për zgjedhje dhe emërime. Ky organ do të jetë edhe kontrollori i Komisionit në të ardhmen, dhe në çdo kohë, do të ketë mundësi që për çdo anëtar të Komisionit Antikorrupsion, të kërkojë raporte nga Drejtoria e të ardhurave publike ose bankat. Intervistimi i kandidatëve do të transmetohet direkt në kanalin televiziv të Kuvendit. Pas filtrimit, Komisioni i Kuvendit për zgjedhje dhe emërime do t’ia dorëzojë Kuvendit listën përfundimtare me kandidatët e mundshëm për antikorrupsionerë.

Marketing