Kryetarja e organizatës, Hendikep Plus Brankica Dimitrovska para objektit të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale ka kundërshtuar Ligjin që kjo ministri dëshiron ta sjellë për personat me nevoja të veçanta dhe me probleme në zhvillim. Sipas saj, shuma prej 7.000 denarësh që është paraparë me ligjin e ri është diskriminuese.
“Ministria për Punë dhe Politikë Sociale të premten me procedurë të shkurtuar u mundua që të sjellë një ligj me të cilin, personat me aftësi të kufizuara do t’i lente në pozitë edhe më të vështir. Duke i kushtëzuar me të ardhura financiare. I njëjti nuk ka marrë parasysh se kjo kategori e njerëzve nuk janë të liruar nga participimi për shërbimet mjekësore”, deklaroi Brankica Dimitrovska, nga Hendikep Plus.
Sipas saj, duke i marrë parasysh harxhimet që kanë personat në fjalë shuma prej 7.000 denarësh është e pa mjaftueshme. Ajo mes tjerash akuzoi institucionet për neglizhencë dhe nuk përjashtoi mundësinë e organizimit të protestave nëse hasin në vesh të shurdhër.
Ndërkaq, me reagim të menjëhershëm kanë dalë edhe nga MPPS-ja. Këshilltari për çështje sociale Dushan Tomshiq i demantoi fjalët e kryetares së “Hendikep Plus”. Sipas tij, ligji i cili është paraparë të vendoset në vendin tonë është i vetmi i këtij lloji dhe është ndër më të mirët në Evropë.
“Me ligjin e ri, të drejtat për personat me aftësi të kufizuara zgjerohen, përpos personave të verbër, dhe atyre me problem në dëgjim, zgjerohet edhe për personat me problem intelektuale dhe ajo që është më kryesorja se këto të drejta nuk janë të kushtëzuara me të drejtën për shfrytëzimin e ndihmës për fëmijën e tretë”, u shpreh Dushan Tomshiq, këshilltar në Ministrin për Punë dhe Politikë Sociale.
Sipas tij, ligji parasheh që personat me aftësi të kufizuar të shfrytëzojnë të drejtën për asistencë personale dhe ndihmë në shtëpi. Ai thotë se shërbimet deri më tani nuk kanë ekzistuar në Republikën e Maqedonisë dhe për herë të parë është vënë në shërbim nga viti i kaluar.
Ndryshe propozimi i MPPS-së për kompensimin monetar të personave me aftësi të kufizuara është në komisionin amë në Kuvend dhe javën e kaluar në të kanë marrë pjesë një numër i madh i organizatave joqeveritare dhe ekspertëve. Në seancën para një jave, sektori civil ka dalë me vlerësime të ndara lidhur me reformën sociale. Disa prej tyre thonë se ligji është solid, e disa të tjerë kanë vërejtjet e tyre për ligjin.