Ligji për pagën e deputetëve nxit debat në Maqedoni

Në opinion ka nxitur debat diskutimi mes deputetëve rreth një ligj të veçantë që do të rregullojë standardin e deputetëve. Aktualisht, mësohet se po diskutohet si mundësi heqja e pagesës që marrin deputetët një vit pasi t’iu përfundojë mandati dhe në vend të kësaj të sigurohet një punë në institucionet shtetërore për ata deputetë që do të mbeteshin pa angazhime pas skadimit të mandatit si deputet.

Marketing

Përderisa kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, është shprehur se nuk do të ketë ligj që do të rrisë privilegjet për deputetët, përkatësisht do t`ju mundësojë deputetëve të punësohen në institucionet e shtetit pas përfundimit të mandatit si deputet , kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, ka thënë se për një gjë të tillë diskutohet dhe asgjë nuk ka të keqe, sepse, siç është shprehur, “në shumë vende në botë, në mënyrë ligjore është rregulluar statusi i deputetëve pas përfundimit të mandatit”.

Rexhail Ismaili, deputet nga partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik, për Radio Evropa e Lirë ka thënë se kjo çështje vetëm diskutohet mes deputetëve si ide, por ende asgjë nuk ka të shkruar si propozim në letër.

“Do të thotë se s`kemi asgjë konkrete në letër. Bisedohet për disa kolegë tonë që kanë mbetur rrugëve, të cilët janë sjellë vendime të rëndësishme; bisedojmë për ta, por asgjë konkrete ende nuk kemi. Për momentin, prioritet u kemi dhënë ligjeve reformuese. Kjo çështje nuk është me prioritet, por thjesht është çështje që diskutohet”, thotë kryetari i nëngrupit për reforma të grupit interparlamentar, Rexhail Ismaili.

Por, Petar Arsovski, analist i çështje politike, thotë se debati nuk është i rastësishëm. Sipas tij, deputetët këtë ligj duan ta shtyjnë para në momentin që po ndodhin shumë zhvillime në Parlament dhe kjo disi synohet të kalohet nën hijen e zhvillimeve turbulente që kanë të bëjnë me amnistinë.

Arsovski thotë se nëse instalohet praktika e benefiteve për deputetët, atëherë përbërjet parlamentarë do të kenë gjithnjë e më shumë persona joprofesionistë, por njerëz të cilët politikën do ta shohin si të vetmen perspektivë dhe kjo, vlerëson ai, deputetët do t’i bëjë lehtësisht të manipulueshëm.

“Deputetët e vetëm, të cilët mbesin rrugëve janë ata që edhe para se të bëhen deputetë s’kanë pasur një punë. Detyra si deputet, nuk paraqet përkatësisht nuk duhet shikuar në asnjë mënyrë si mundësi punësimi, por përfaqësim dhe këtë detyrë duhet ta bëjnë personat, të cilët janë dëshmuar në profesionet e caktuara dhe pasi të zgjidhen si deputetë në institucionin ligjvënës të kontribuojnë me cilësitë dhe përvojën e tyre në interes të qytetarëve që i kanë zgjedhur”, vlerëson Arsovski.

Nga ana tjetër, Albert Musliu, thotë se vetëm ndryshimi i Kodit zgjedhor në bazë të të cilit Maqedonia do të votonte si një njësi zgjedhore me lista të hapura, ku qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejtë do të vendosnin se kush dëshiron t’i përfaqësojë, do të rriste cilësinë e përbërjeve parlamentare .

“Që nga vitet ’90, është nënvlerësuar në vazhdimësi është ulur kualiteti i punës së Parlamentit. Kualiteti i dobët i përbërjeve parlamentare, është një nga problemet kryesore në Maqedoni”.

Ajo që duhet të bëhet si fillim për ngritjen e cilësisë së të zgjedhurve të popullit është ndryshimi i Kodit zgjedhor, ashtu që deputetët do të zgjidhen përmes listave të hapura, ku me votën e qytetarëve do të diferencohen deputetët partiakë, përkatësisht të preferuarit e lidershipit nga ata që qytetarët mendojnë se do t’i përfaqësojnë më së miri interesat e tyre”, thotë Musliu për Radion Evropa e Lirë.

Marketing