Ligji për Prokurorinë, jo para 12 prillit

Ligji për Prokurorinë Publike është zhvendosur nga agjenda politike, për shkak se partitë politike në Maqedoninë e Veriut janë të fokusuara në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen në prill të vitit të ardhshëm. Njohësit e çështjeve politike thonë se udhëheqësit politikë në këtë moment nuk janë të interesuar që energjitë t’i orientojnë në tejkalimin e dallimeve rreth Ligjit për Prokurorinë Publike, që do të zgjidhte edhe fatin e Prokurorisë Speciale, edhe pse kjo temë është kriteri kryesor që Brukseli po kërkon që vendi të përmbushë, me qëllim që të lëvizë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Marketing

Arsim Sinani nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, për Radion Evropa e Lirë vlerëson se të gjitha partitë politike në Maqedoninë e Veriut, në pushtet dhe opozitë, nuk janë të interesuara që të miratohet Ligji për punë e Prokurorisë sepse në një formë ata mbrojnë struktura të caktuara të partisë që janë të përfshirë në vepra kriminale. “Në përgjithësi, të gjitha partitë që dje ishin në pushtet dhe këta që sot janë në pushtet, pa përjashtim janë të zhytura në krim, korrupsion, apo që unë e quaj kapje dhe normal që tani të gjithë këta janë të interesuar që të lënë këtë çështje (Ligjin mbi punën e Prokurorisë Publike) të hapur, pa zgjidhje, që çështjet të harrohen dhe të mos dënohet askush”, thotë Sinani, duke shtuar se të gjithë personat që akuzohen për afera kriminale po arrijnë t’i ikin drejtësisë për shkak të zbrazëtirave ligjore.

Nga ana tjetër, Ivan Stefanovski, nga organizata joqeveritare Evro Think vlerëson se vetëm presioni i shtuar nga qendrat vendimmarrëse Uashingtoni dhe Brukseli mund t’i detyrojnë forcat politike që të arrijnë marrëveshje për Ligjin për Prokurorinë Publike. “Do të thotë, pa një presion më serioz nga faktori ndërkombëtar nuk pres që partitë politike t’i rreken seriozisht tejkalimit të dallimeve që kanë rreth Ligjit për Prokurojnë Publike. Në këtë moment mendoj se të gjitha kapacitetet partitë politike do t’i orientojnë në drejtim të formimit të qeverisë teknike, e cila duhet të formohet 100 ditë para organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Megjithatë edhe gjatë fushatës ata do të fokusohen në përpilimin e listës së kandidatëve, bartësve të listave në njësitë zgjedhore, financimin e fushatës, etj”, thotë Stefanovski.

Njohësit e çështjeve juridike theksojnë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 12 prill, madje do të ngadalësojnë dinamikën e zhvillimit të proceseve gjyqësore ndaj lëndëve që tashmë i ka ngritur Prokuroria Speciale.

Ndryshe, dështimi i negociatave mes partive politike për Ligjin e Prokurorisë Publike ka ngritur dilemën nëse me zgjidhjen e statusit të Prokurorisë Speciale apo të lëndëve të saj, partitë kanë hequr dorë nga miratimi i këtij ligji. Para datës 15 shtator, kur përfundonte afati i Speciales, ish-kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, nga burgu kishte dërguar një letër, përmes së cilës të gjitha lëndët që ka udhëhequr prokuroria që drejtonte, ia ka kaluar organit të rregullt të akuzës me çka edhe ka evituar mundësinë e mbylljes së tyre pa epilog konkret. Në fillim, partitë, në veçanti ato në pushtet, deklaronin se Ligji për prokurorinë do të jetë një nga kushtet për marrjen e datës së bisedimeve me Bashkimin Evropian në tetor, ndërsa tani si më të rëndësishëm e theksojnë zgjidhjen e problemit me lëndët e Prokurorisë Speciale. (REL)