Lika: Shqiptarët me votat e tyre treguan orientimin pro NATO dhe BE

Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistem politik, Hazbi Lika, së bashku me sekretarin shtetëror, Faton Ahmeti, sot realizuan takim pune me Klemens Koja, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup.

Marketing

Fillimisht, siç thuhet në kumtesë, zëvendëskryeministri Lika i uroi ambasadorit mirëseardhje në Maqedoni dhe suksese në detyrën e tij të re, duke e njoftuar rreth bashkëpunimit të mirëfilltë mes Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe OSBE-së, gjegjësisht rreth memorandumit për bashkëpunim që do të nënshkruhet së shpejti mes dy institucioneve.

Në vazhdimësi, u diskutua rreth përputhshmërisë së Planit strategjik të SIMO-s me planin e reformave që Qeveria ka paraparë, me ç’rast sekretari shtetëror Faton Ahmeti shtoi se rekomandimet e këtij plani janë në koordinim të plotë me reformat qeveritare dhe me konkluzat të cilat kanë dalë prej Analizës së fundit për kohezion social, theksohet në kumtesë.
Paralelisht, ambasadori Koja dhe zëvendëskryeministri Lika diskutuan rreth ecurisë së implementimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, ku u cek çështja e Ligjit për përdorimin e gjuhëve si një parametër final i cili do të kërkojë edhe angazhim intensiv deri në implementimin e plotë të tij.

Së fundmi në kumtesë u potencua aspekti i integrimit të Republikës së Maqedonisë në strukturat euro-atlantike.

“Dalja e shqiptarëve në votim në Referendumin për Marrëveshjes e Prespës, në krahasim me daljen në zgjedhjet lokale, ka pasur rritje dhe kjo në fakt dëshmon se shqiptarët janë dhe do të mbeten pro integrimit dhe pro perëndimit”, ka thënë Lika.