Limani: Çerdhet në Haraçinë, Çair e Likovë do të hapen së shpejti

Deri më 20 nëntor pritet të hapen çerdhet e reja në Çair dhe Haraçinë, ndërsa para festave të fundvitit pritet të lëshohet në përdorim edhe çerdhja në Likovë, pasi punimet për ndërtimin e tyre kanë përfunduar dhe këto ditë pritet të zgjidhen edhe disa pengesa urbanistike dhe ato të nisin me punë.

Marketing

Kështu ka deklaruar ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani, i cili njëherit paralajmëron se vitin e ardhshëm do të nisë ndërtimi i 25 çerdheve.

“15 çerdhe janë të parapara, të cilat janë duke u zhvilluar procedurat, ndërsa në vitin 2025 parashihet ndërtimi i 25 çerdheve. Sa i takon çerdhes së Haraçinës edhe të Çairit, unë jo më larg se dje kam biseduar me kryetarin e komunës së Çairit dhe kam kërkuar që ato të përfundojnë procesin e ndërtimit të disa pengesave që i kemi urbanistike atje, në mënyrë që edhe ajo si çerdhe të hapet deri më datë 15 apo maksimum 20 të këtij muaji. Në ndërkohë, ne si ministri po përpiqemi t’u sigurojmë edhe punësimet e reja për të dyja këto çerdhe.”, – deklaroi ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani.

Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, thot se me një tempo të përshpejtuar po punohet në përgatitjen e dokumentacionit për ndërtimin e çerdhes në lagjen Hasanbeg.

“Ky është një problem gjeneral në vendin tonë, po punohet në projektin urbanistik për ndërtimin e çerdhes në vendbanimin Hasanbeg dhe këtë jemi duke e punuar me një tempo të përshpejtuar dhe kam shpresë së në fillim të vitit 2025 do ta fillojmë ta ndërtojmë këtë çerdhe.”, – theksoi kryetari i komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski.

Këto zotime u bënë në ceremoninë e nënshkrimit të bashkëpunimit mes Ministrisë së Politikës Sociale dhe 21 komunave të vendit dhe 21 çerdheve për sistemimin e 350 fëmijëve romë, të cilët janë nga mosha 3 deri në 6 vjeç dhe sipas të pranishmëve, nëpërmes këtij bashkëpunimi, do të punohet më intensivisht për edukimin dhe ngritjen edhe të fëmijëve romë.

Marketing