Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ka përuruar sot pikë-kalimin e përbashkët kufitar “One Stop Shop” në Bllacë, një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Në këtë ngjarje, ai ka qenë së bashku me Kryeministrat Hristijan Mickoski dhe Albin Kurti, si dhe ministra të të dy qeverive, ku theksuan rëndësinë e këtij projekti.
Limani ka shprehur se ky projekt nuk është thjesht për asfalt dhe kufij, por për të bashkuar njerëzit dhe për të lehtësuar qarkullimin, duke kontribuar në integrimin e të dy shteteve drejt një Evrope pa kufij. Ai ka nënvizuar se ky është një hap më afër bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian, duke krijuar mundësi për një të ardhme më të lehtë për qytetarët.
“Sot përuruam pikë-kalimin e përbashkët kufitar “One Stop Shop” në Bllacë. Një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit më të ngushtë mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut! Bashkë me Kryeministrat Hristijan Mickoski e Albin Kurti, dhe ministra të të dy qeverive sot na bashkoi diçka më tepër se asfalt dhe kufij-na bashkoi një vizion. Vizioni për të bashkuar njerëzit e të dy anëve të kufirit, për të lehtësuar qarkullimin dhe integrimin drejt një Evrope pa kufij! Ky është një hap më pranë bashkëpunimit rajonal, integrimit evropian dhe një të ardhmeje më të lehtë për qytetarët tanë! Le të jetë ky vend-kalim vetëm fillimi”, ka shkruar Limani.
