Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, është liruar nga një gjykatë amerikane të mërkurën në ishullin amerikan të Paqësorit, Saipan, pasi u deklarua i fajshëm për shkeljen e ligjit amerikan për spiunazh në një marrëveshje që ia mundësoi atij të kthehet menjëherë si njeri i lirë në vendlindje, Australi.
Lirimi i tij i jep fund një sage ligjore 14-vjeçare, gjatë të cilës ai i kaloi më shumë se pesë vjet në një burg të sigurisë së lartë në Britani të Madhe dhe shtatë vjet të tjera në Ambasadën e Ekuadorit në Londër, ku e luftoi ekstradimin në Shtetet e Bashkuara, pasi përballej me 18 akuza penale.
Gjatë një seance që zgjati tri orë të mërkurën, Assange u deklarua i fajshëm për një akuzë penale, konspiracion për të siguruar dhe publikuar dokumente të klasifikuara të mbrojtjes kombëtare amerikane.
Por, ai tha se kishte besuar se veprimtaria e tij po mbrohej nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane, i cili mbron lirinë e shprehjes.
“Duke punuar si gazetar, unë e nxita burimin tim të më japë informata për të cilat thuhej se ishin të klasifikuara, në mënyrë që t’i publikoja”, tha Assange në gjykatë.
“Besoja se Amendamenti i Parë e mbronte këtë veprimtari, por e pranoj se ishte… shkelje e statutit të spiunazhit”, shtoi ai.
Gjykatësja Ramona V. Manglona e liroi Assangen pasi ai e pranoi fajësinë, në bazë të marrëveshjes me prokurorët amerikanë, dhe pasi ai i kreu tashmë pesë vjet burgim në burgun e Londrës.
“Ne besojmë fuqishëm se Assange nuk është dashur të akuzohej kurrë në bazë të Aktit të Spiunazhit”, tha avokati i tij amerikan, Barry Pollack, pas seancës.
Ai theksoi se puna e WikiLeaks do të vazhdojë.