Lirohet nga paraburgimi Nikolla Sandulloviqi

Politikani opozitar serb, Nikolla Sandulloviq, është liruar këtë të hënë nga paraburgimi në Serbi.

Marketing

Këtë e bëri të ditur avokati mbrojtës i tij, Çedomir Sejkoviq, me anë të një postimi në platformën e rrjeteve sociale X.

“Nikolla Sandulloviq sapo ka dalë nga burgu, për t’u mbrojtur kundër akuzës se ‘vuri lule mbi varrin e një vajze shqiptare’”, thuhet në postimin e Sejkoviqit.

Sipas tij, vendimi për lirimin e Sandulloviqit vjen vetëm një orë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij.

“Vendimi për arrestimin e tij ishte një vendim politik urrejtjeje. Atij i ka paraprirë edhe rrahja e Nikolla Sandulloviqit. Vendimi për lirimin e tij për t’u mbrojtur kundër akuzës për ‘vënien e një lule në varrin e një fëmije shtatë vjeçar’ është gjithashtu drejtpërdrejt politik, sepse autoritetet në Beograd urdhëruan lirimin e tij për shkak të presionit në rritje të Perëndimit ndaj Serbisë për shkak të këtij vandalizmi të dukshëm ndaj Sandulloviqit”, ka thënë Sejkoviq tutje.

Më 4 janar të këtij viti, familjarët e kryetarit të Partisë Republikane Serbe kanë thënë se ai është rrahur brutalisht nga policia sekrete serbe, në ndërtesën e BIA-s. Në mesin e personave të maskuar që e kanë rrahur, Sandulloviq ka thënë se e ka njohur Millan Radoiçiqin, ish-politikanin serb nga veriu i Kosovës, organizator i sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

Në pamjet e publikuara shihej politikani opozitar serb në gjendje të rëndë shëndetësore, derisa kthehej në shtëpi pasi ishte shtruar në Spitalin Ushtarak të Beogradit. Sandulloviqi ishte arrestuar nga Agjencia e Inteligjencës e Serbisë (BIA). Sipas familjes dhe avokatit të tij, arsyeja ishte një postim i tij në X duke bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, ku thoshte se është i vetmi politikan nga Serbia që nderoi viktimat e pafajshme shqiptare dhe kërkoi falje për krimet serbe. /Klankosova.tv