Liverpooli fiton me një autogol në minutën e fundit ndaj Tottenhamit

Në “Anfield Road”, të besuarit e Klopp e nisën mjaft mirë takimin dhe gjetën golin e avantazhit në minutën e 16’, me anë të brazilianit Firminho, i cili mposhti francezin Loris, pas një asisti të Robertson.

Marketing

Në vijim, “The Reds” patën disa mundësi për të dyfishuar shifrat, por fati dhe portieri i Tottenhamit, Hugo Loris, bënë që pjesa e parë të mbyllej me avantazhin vetëm të një goli.

Edhe pjesa e dytë nisi me të njëjtin ritëm, por në minutën e 70’, një kundërsulm i shpejtë i Tottenhamit u konkretizua me golin e brazilianit Lucas, i cili bëri të heshtin tifozët vendas dhe “ngriu” zemrën e Jurgen Klopp.

Reagimi i Liverpoolit ishte i menjëhershëm dhe pas disa sulmeve, goli erdhi vetëm në minutën e fundit të takimit, kur një top i gjatë në zonë, u godit me kokë nga Salah dhe u grushtua nga Loris, por topi u përplas në këmbët e belgut Alderwiereld dhe përfundoi në rrjetën e portës së Tottenhamit.

Kaq mjaftoi që “Anfield Road” të shpërthente i tëri në festë, me tifozërinë e Liverpoolit që beson fuqimisht te rikthimi te titulli kampion pas rreth 30 vitesh, ndërsa “The Reds” përkohësisht marrin kreun e renditjes, ndonëse me një ndeshje me shumë se Manchester City.