Familjarët e viktimave të aksidentit me autobusin e “Durmo Tours”-it në afërsi të Llaskarcës, kërkojnë që 6 të akuzuarit të gjykohen për vrasje dhe jo për aksident trafiku. Sipas avokatëve të tyre, kërkesa është dorëzuar në Prokurorinë Publike dhe Këshillin Gjyqësor që lënda të rikualifikohet, por ende nuk kanë marrë përgjigje nga organet e hetuesisë dhe drejtësisë. Familjarët shprehën indinjatë edhe në seancën e sotme, madje me lot në sy tregojnë ankesat para kamerave. Babai i Boban Avromovskit, njërit prej viktimave në këtë aksident thotë se të dyshuarit duhet të dënohen si bandë kriminale që kanë marrë jetë njerëzish.
Ne nuk pajtohemi që vepra të vlerësohet si fatkeqësi në komunikacion, e dënueshme sipas nenit 300 të Kodit Penal, por propozojmë që kjo vepër e rëndë ku i humbëm më të afërmit tanë, të rikualifikohet në veprën penale vrasje, sipas nenit 123 të Kodit Penal, për shkak se vet kjo vrasje nënkupton çdo veprim që i shkakton tjetrit vdekjen – tha Mitko Avramovski, prind.
Profesori i Fakultetit të Makinerisë, Millan Kërstevski, dëshmon se gjatë ekspertizës kanë konstatuar që autobusi nuk ka frenuar aspak. Manipulimi vërehet edhe në shpejtësinë me të cilën ka lëvizur autobusi, në vend që 99 kilometra në orë, tahografi ka treguar lëvizjen prej 85 km/h. Në cilësinë e ekspertit teknik, Kërstevski tha se nuk mund të thonë nëse shoferi ka shtypur pedalin e frenimit apo jo.
Autobusi nuk ka frenuar aspak sepse gomat nuk kanë lënë gjurmë në asfalt. Shenjat e vetme mbi dy korsitë e autostradës janë nga vaji i hidraulikut dhe plastikave që janë zvarritur nga autobusi. Se nuk është aktivizuar sistemi i frenimit ‘ABS’ e dëshmon edhe pajisja e tahorafit të autobusit – u shpreh Milan Krstevski, ekspert.
Autobusi i orës 16 i linjës Shkup-Gostivar më 13 shkurt ra në humnerë, duke lënë të vdekur 16 persona dhe 37 të tjerë të lënduar. Të akuzuar janë pronari i kompanisë “Durmo Turs”, Durmish Beluli, përgjegjësi i kompanisë, Remzi Miftari dhe vozitësi i autobusit, Manoil Trifunovski. Këta ngarkohen për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, ndërsa tre të punësuarit e stacionit të kontrollit teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski akuzohen për pjesëmarrje në kryerjen e veprës penale. Që nga 28 Nëntori, pronari Beluli mbrohet në liri, pasi që Gjykata e Apelit e nxori nga paraburgimi në kundërvlerë të garancisë që ofroi prej 2 milionë eurosh. Seanca e radhës do të mbahet me 8 janar të 2020.