Lloga: Diskutohet për ndërprerje të mandatit të KGJ

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, vlerëson se zhvillimet në Këshillin Gjyqësor janë shqetësuese, ndërsa një nga zgjidhjet për të cilën po diskuton me partitë politike dhe Qeverinë, është që t’i ndërpritet mandati përbërjes aktuale të këtij organi me dispozita ligjore kalimtare.

Marketing

Informacione shtesë lidhur me këtë çështje paralajmëroi ditëve në vijim, gjegjësisht pasi të diskutohet edhe me opozitën.

“Unë jam i shqetësuar me këto të dhëna që i thotë jo vetëm raporti i OSBE-së, por edhe të gjitha institucionet e tjera në vend dhe Bashkësia ndërkombëtare. Edhe pse jemi në diskutime me parti politike, krerë të Qeverisë që të gjejmë zgjidhje, një nga zgjidhjet e mundura është që me dispozitë ligjore të kemi ndërprerje të mandatit të kësaj përbërje të Këshillit gjyqësor. Informata të mëtutjeshme do të kemi ditëve në vijim pasi që unë këtë do ta diskutoj edhe me opozitën në Kuvend dhe do ta dimë se cilën rrugë do ta zgjedhim. Nëse ka ndryshime të tilla ligjore do të jetë me konsensus të të gjitha partive politike.”, – deklaroi ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.

Sa i përket paralajmërimeve se udhëzimi me të cilin në certifikatat e lindjes do të shënohet edhe përkatësia etnike është i kundërligjshëm dhe do të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese, Lloga thekson se është bërë në përputhje me Ligjin.

“Këto dispozita dhe udhëzimi janë në pajtueshmëri me Ligjin për evidencë amë dhe atje mund ta gjejnë zgjidhjen e problemit të cilin e mendojnë. Në gjykatën Kushtetuese dyert janë të hapura, për atë dhe ekziston, pra ata që kanë vërejtje le të drejtohen atje.”, – theksoi ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.

Sa i përket të ashtuquajturave raste të montuara politike, Lloga thotë se presin përgjigje nga grupet e mbikëqyrjes, ndërsa e mundur është që këto raste të gjejnë zgjidhjen edhe përmes Këshillit Gjyqësor.