Llogaridhënie e Procesit të Berlinit

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Arbër Ademi, mori pjesë në Forumin e shoqërisë civile Tink-Tenk, kushtuar përforcimit të së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor, i cili u mbajt më 14-15 tetor 2023, në Tiranë.

Marketing

Në kuadër të forumit, në panelin kushtuar “Përforcimit të Procesit të Berlinit përmes mekanizmave të llogaridhënies”, pati prezantimin e tij Ademi, i cili theksoi se Parlamenti duhet të përfshihet në Procesin e Berlinit, duke pasur parasysh rolin e tij legjislativ dhe kontrollues në shoqëri.

Në kontekst të përfitimeve të deritanishme të Procesit të Berlinit, ai vuri në dukje si rezultat pozitiv nënshkrimin e tri marrëveshjeve për mobilitet, të cilat janë ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa theksoi se me zbatimin e tyre, qytetarët kanë përfitime praktike në jetën e përditshme.

Ademi informoi se përfaqësuesit e parlamenteve të rajonit miratuan Deklaratë për rolin e parlamenteve në Procesin e Berlinit, në të cilën kërkohet që parlamentet të jenë pjesë e Procesit të Berlinit, si organ përfaqësues i qytetarëve. Shprehu pritshmërinë që në Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit më 16 tetor në Tiranë të merret vendim pozitiv lidhur me kërkesën për pjesëmarrjen e parlamenteve të BP-së dhe që ata të përfshihen si palë aktive në Samitin e ardhshëm.

Në Forum u theksua nevoja për zhvillimin e mekanizmave të llogaridhënies dhe informimit të Parlamentit, nga ana e Qeverisë, pas çdo mbajtjeje të Samitit të Procesit të Berlinit.