LOJRA të ashpra të fatit

Teksa pretendon se është e shqetësuar për qytetarët, Qeveria ka vendosur në fshehtësi të krijojë 3 kompani të reja të lojërave të fatit online

Marketing

Vendimi i marrë më 14.06.2023 është firmosur nga zëvendësi i parë i kryeministrit të RMV-së, Artan Grubi. Ky Vendim shtron pyetjen se si do të realizohet procedura për themelimin e tri kompanive të reja për organizimin e lojërave të fatit online dhe në çfarë mase fshihen pas tij interesat personale të pushtetarëve?
Në fshehtësi dhe me dyer të mbyllura, para tre muajsh Qeveria mori vendim për të mundësuar fillimin e procedurës për themelimin e tri kompanive të reja për organizimin e lojërave të fatit online, të cilat do të jenë nën ombrellën e saj, përkatësisht nën ombrellën e Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Vendimi, rastësisht ose jo, u mor me një titull që nuk sugjeron se përmban informacione me rëndësi vendimtare për industrinë e lojërave të fatit. Nën titullin “Vendim për miratimin e punës së Bordit Drejtues të Shoqërisë Aksionare për organizimin e lojërave të fatit, Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut” botuar në Gazetën Zyrtare të RMV-së, nr. 124, të datës 14.6.2023, Qeveria, në fakt, mundësoi fillimin e procedurës për themelimin e tre kompanive të reja për organizimin e lojërave të fatit online.

Pas një heshtjeje të gjatë – një skandal!

Ndërkohë, ligji për lojërat e fatit, i cili ishte aktual dy vitet e fundit dhe ishte lartë në agjendën e qeverisë, është zhdukur plotësisht nga diskursi publik prej disa muajsh dhe projektligji që duhej të kalonte me një flamur evropian  u mbërthye në mënyrë misterioze në një nga sirtarët e Parlamentit. Ligji u kritikua ashpër si nga shoqatat e operatorëve të lojërave të fatit ashtu edhe nga politikanët evropianë. Po ashtu, në opinion u shfaqën dyshime dhe spekulime se ligji nuk është aspak në interes të qytetarëve dhe mbrojtjes së të miturve nga lojërat e fatit, por se është mbulesë e interesave të biznesit të BDI-së dhe zëvendëskryeministrit Artan Grubi. Me akuza të tilla kanë dalë VMRO-DPMNE opozitare dhe partia e sapoformuar e Izet Mexhitit.

Ndonëse ka pasur një heshtje në opinion për këtë temë, Plusinfo ka mësuar se Qeveria ka qenë e zellshme dhe ka punuar fshehurazi dhe në heshtje derisa qytetarët kanë dalë në plazh. Gjatë pushimeve verore, qysh tre muaj më parë, Qeveria ne një derë të vogël mori një vendim që do të ketë implikime serioze për kompanitë ekzistuese që organizojnë lojëra fati në vend.

Vendimi i marrë më 14.6.2023 është firmosur nga zëvendësi i parë i kryeministrit të RMV-së, Artan Grubi. Ky Vendim shtron pyetjen se si do të realizohet në përgjithësi procedura për themelimin e tri kompanive të reja për organizimin e lojërave të fatit online dhe nëse po, në çfarë mase fshihen pas saj interesat personale të pushtetarëve?

Pasi së fundi me nënshkrimin e Grubit u mor vendimi për themelimin e një kompanie të re shtetërore për lojërat e fatit, tani me një vendim të ri mundësohet hapja e tre kompanive të reja për lojërat e fatit online?! Është e çuditshme se si Qeveria nga një “propozues” kundër lojërave të fatit befas u bë partneri kryesor dhe mundësuesi i mundësive të reja për baste dhe kumar, në një mënyrë krejtësisht jotransparente dhe tejet të dyshimtë?

Shtrohet pyetja nëse ky vendim zbulon fytyrën e vërtetë të Qeverisë dhe hap mundësinë që palët e parapajtuara në treg të kenë mundësi të realizojnë fitime të larta. A njihen kompanitë dhe pronarët e tyre paraprakisht?

Analiza e  vetë vendimit, tregon se është krejtësisht në kundërshtim me ligjin. Sipas ligjit aktual për lojërat e fatit, organizatorët ekzistues të lojërave të fatit nuk janë në gjendje të organizojnë lojëra të fatit online. Për këtë arsye, organizatorët vendorë të lojërave të fatit disa herë protestuan dhe kërkuan që të lejohen të organizojnë lojëra të fatit në internet, siç është praktikë në të gjitha vendet evropiane.

Edhe pse Ligji për lojërat e fatit parashikon kushtet e përgjithshme për organizimin e lojërave të fatit online, Ministria e Financave nuk ka miratuar aktet nënligjore për më shumë se një dekadë, pa të cilat organizatorët e lojërave të fatit nuk mund të organizojnë në praktikë lojërat e fatit përmes internetit. Për momentin këtë mundësi e ka vetëm lotaria shtetërore dhe është e vetmja organizatore e lojërave të fatit në internet, por me ligj dhe mënyrë organizimi krejtësisht të padefinuar.

Duket sikur gjithçka është menduar mirë paraprakisht

Më 11 shtator 2023, Lotaria Shtetërore e Maqedonisë shpalli thirrje publike për përzgjedhjen e tre organizatorëve të lojërave të fatit në internet. Thirrja publike Nr.01-PODT/2023 për paraqitjen e ofertave për dhënien e kontratave për investimet e përbashkëta për krijimin e tre shoqërive tregtare për organizimin e lojërave të fatit online, është publikuar në datën 11.09.2023, në Fletën Zyrtare Nr.189.

Njohësit e problemeve për Plusinfo kanë analizuar thirrjen e Lotarisë Shtetërore të Maqedonisë. Sipas analizave të tyre, thirrja është e paligjshme dhe diskriminuese, gjë që ngre dyshime serioze se kush dhe si do të përzgjidhen kompanitë.

– Publikuesi i Thirrjes Publike i referohet nenit 7 paragrafi 3 i Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese. Nuk ka asnjë thirrje publike në këtë nen, dmth. ky nen nuk përcakton procedurën dhe mënyrën, si dhe kushtet dhe kriteret për zgjedhjen e partnerit privat. Përmes kësaj, si dhe përmes thirrjeve të mëparshme publike, shkelet drejtpërdrejt Ligji për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese dhe pa kushte dhe kritere të qarta ligjore zgjidhen partnerë privatë, edhe atë afatgjatë. Nuk është e qartë se mbi bazën e cilës dispozitë të ligjit publikuesi i shpalljes e ka arritur afatin prej 15 vitesh, te jepet me koncesion e mira publike? E nëse bëhet fjalë për të mirën publike, atëherë në Ligjin për lojërat e fatit është dashur të përmendet Ligji për Partneritet Publik Privat – thotë eksperti që ka dashur të mbetet anonim.
Më tej, shtrohet pyetja se si Lotaria Shtetërore e Maqedonisë konstatoi papritur nevojën e tre kompanive për organizimin e lojërave të fatit online? Sipas cilës procedurë dhe me cilat dokumente mbështetet kjo? Pse, në kushtet e ekzistencës së një kompanie që është në pronësi të përbashkët të Lotarisë Shtetërore të Maqedonisë dhe partnerit privat dhe që aktualisht organizon lojëra fati online, është e nevojshme rritja e numrit të organizatorëve? A do të thotë kjo se në këtë mënyrë në të ardhmen do të ketë pesë, gjashtë apo ndoshta 15 prezantues të rinj?
Thirrja është tërësisht diskriminuese dhe favorizuese

Më tej, analiza tregon se thirrja është e “përshtatur” që mos t’ju mundëson pjesëmarrje kompanive vendase, por edhe në përgjithësi i tejkalon me kushte të mjegulluara me të cilat duhet të merren institucionet.

Gjegjësisht, mjegullnaja e parë dhe diskriminimi i drejtpërdrejtë është dispozita: të ketë përvojë në organizimin e lojërave të fatit online për një periudhë të paktën 3 (tre) vjecare nga dita e dorëzimit të ofertës. Për më tepër, të ketë përvojë të paktën 8 (tetë) vjet në zhvillimin, mbështetjen dhe marketingun e një platforme interneti për lojërat e fatit dhe përmbajtjet e lojërave në dy vende të Evropës, njëri prej të cilëve në Ballkan, dhe së fundi, të ketë 40 milionë euro të ardhura vetëm nga lojërat e fatit online.

Kushtet e tilla i përjashtojnë qartë kompanitë vendase që të marrin pjesë në thirrje, sepse vetë shteti ka dhjetë vjet që i diskriminon dhe nuk i lejon të organizojnë lojëra fati në internet ndërsa tani atë po ua bën si kusht që të regjistrohen. Është çështje edhe se si është arritur deri te kushtet e tjera – prania në dy shtete dhe të ardhurat e larta prej 40 milionë eurosh.
Në këtë mënyrë, thonë ekspertët, Qeveria nga mbështetësi kryesor kundër lojërave të fatit duket se dalëngadalë është kthyer në promotor dhe organizator kryesor, i cili do të përfitojë shumë nga ky komplot, dhe që mbetet për tu parë.

Është gjithashtu e diskutueshme se cilat do të jenë efektet në tregun vendas dhe ndaj lojtarëve nga hyrja e tre kompanive të reja të huaja në treg dhe si do të ndikojë ky ndryshim në industrinë ekzistuese, e cila ka investuar në objekte të shumta dhe në një staf prej disa mijëra punonjës në të gjithë vendin. /plusinfo.mk

Të gjithë Thirrjen Publike të Lotarisë Shtetërore të Maqedonisë mund ta shikoni në linkun e mëposhtëm:

Thirja publike e Lotarisë

Marketing