Ballina Sport “Lojtari i vitit”, sfida mes Messit dhe Mbappe

“Lojtari i vitit”, sfida mes Messit dhe Mbappe

FIFA publikoi listën me 14 futbollistët kandidatë për çmimin “Lojtari i vitit 2022”. Konfederata botërore njoftoi se vlerësimi do të bazohet te paraqitjet dhe rezultatet e arritura nga starti i sezonit 2021-2022 deri në mbylljen e Botërorit 2022.

Marketing

Pikërisht për këtë arsye, Lionel Messi cilësohet favorit, pasi e udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit në Katar. Numri 10 nuk është i vetmi nga albicelestët e pranishëm në garë. Përkrah tij rreshtohet edhe Julian Alvarez i Manchester City.

Përpos Messi-t, në listën janë edhe yjet e tjerë të PSG, Kylian Mbappe, Neymar dhe Achraf Hakimi. Të nominuar janë edhe Kevin De Bruyne apo Erling Haaland, por nuk mund të mungonin edhe yjet e Real Madrid, Luka Modric, Vinicius Junior dhe fituesi i Topit të Artë, Karim Benzema. Jashtë kandidatëve është lënë Cristiano Ronaldo, teksa mesfushori 19-vjeçar i Anglisë dhe Borussia Dortmund, Jude Bellingham është më i riu në moshë.

Në garën për Trajnerin e Vitit, Carlo Ancelotti i Real Madrid dhe Pep Guardiola i Manchester City janë nominuar përkrah argjentinasit Scaloni, trajnerit të Francës, Didier Deschamps dhe atij të Marokut, Walid Regragui.

Çmimet më i miri i vitit do të jepen edhe për portierët, si edhe në futbollin e femrave. Në garën për Golin më të Bukur të vitit janë përfshirë Richarlison i Brazilit, si edhe Mbappe, për golin në finalen me Argjentinën.

Lista e shkurtër me tre emra do të publikohet në fillim të muajit shkurt. Votimi do të ndahet në 4 grupe: mediat, trajnerët e ekipeve përfaqësuese, kapitenët e përfaqësueseve dhe tifozët. Secili grup do të ketë 25 për qind të forcës së votës në shpërndarjen e çmimeve.

Exit mobile version