Parlamenti britanik fundosi planin e Tereza Mejit për Brexitin. Me 432 “kundër” dhe 202 “pro”, komunat siç ishte parashikuar, nuk i dhanë dritë jeshile marrëveshjes me Bashkimin Evropian për daljen nga BE-ja. Lideri laburist Jeremy Corbyn bëri të ditur një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë May që duhet të votohet brenda ditës së nesërme.
Cilat janë opsionet në tavolinë?!
Si hap imediat qeveria do të duhet të paraqesë në Parlament “Planin B” brenda tre ditësh. E nëse serish nuk binden deputetët disa nga opsionet janë; E para, dalja nga BE pa marrëveshje dhe ligji e mundëson daljen më 29 mars. Opsioni i dytë, mbetet rinegociimi me Brukselin, që do kërkoj kohë dhe shtyrje të hyrjes në fuqi të Nenit 50 për ta vonuar procesin e Brexit.
Një opsion i tretë, është mbajtja e zgjedhjeve të reja të përgjithshme si rrugëdalje nga impasi dhe sigurimin e një mandati të ri për marrëveshjen e kryeministres britanike.
Por do duhen dy të tretat e deputetëve që të mundësohet mbajtja e zgjedhjeve të reja, ku dita me e afërta do jetë pas 25 ditësh.
Mbajtja e një referendumi, do të kërkonte edhe ky opsion, shtyrjen e procesit të Brexit, ndërkohë që do jetë shumë e vështirë për të mos thënë e pamundur, mbajtja e tij përpara 29 marsit datës zyrtare të daljes se Britanisë nga BE-ja, pasi si rregull do duhen 22 jave deri në mbajtjen e një referendumi të ri.