LSDM akuza VMRO-së: Po pengon zgjedhjen e Këshillit drejtues në RTVM

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë ka akuzuar VMRO-DPMNE dhe kryetarin e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime në Kuvend, Ilija Dimovskin, se po frenojnë reformimin në Servisin Publik dhe me veprime të tilla po vazhdojnë ta zbehin besimin e qytetarëve drejt Radio Televizionit të Maqedonisë.

Marketing

Sipas Betian Kitevit nga LSDM, partia opozitare po mbron personat në këto dy institucione, ndaj të cilëve tanimë është ngritur edhe padi për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“VMRO-DPMNE-ja dhe Ilija Dimovski qëllimisht janë duke e frenuar zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Programor pranë RTVM-së dhe në Këshillin për Media dhe shërbime auto dhe audio-vizuele. Me këtë VMRO-DPMNE akoma mbetet frenuesi kryesor i reformave dhe profesionalizimit të RTVM-së. Për këtë arsye i bëjmë thirrje që të thirret seancë e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, ku do të fillonte procedura për zgjedhjen transparente të anëtarëve të këtyre institucioneve”,- u shpreh deputeti i LSDM-së, Betian Kitev.

VMRO-DPMNE: Deputeti i LSDM-së që akuzon, është i pa informuar

Por, në këtë kanë reaguar nga VMRO-DPMNE, sipas të cilës deputeti i shumicës nuk ka idenë se çfarë është duke punuar dhe deri ku janë procedurat në Kuvend.

“Në vend që vetëm të lexonte konferencën e shkruar për shtyp, deputeti mund të drejtohej para komitetit dhe të merrte më shumë informacion. Procedura për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Programues të RTVM-së dhe Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-Vizuale po vazhdon. Konsultimet dhe takimet zyrtare me organet shtetërore, ekspertë, asociacionet e mediave, shoqata të mediave, si dhe me partitë politike po mbahen për çdo ditë. Procedura nuk është bllokuar dhe po ecën në mënyrën më transparente”,- thuhet nga VMRO-DPMNE.

Nga VMRO i bëjnë thirrje deputetes Kitev, para se të akuzojë të informohet nga Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime.

Marketing