A ka mospajtime brenda partisë së LSDM-së për rikonstruimin e qeverisë? TV21 nga burime të saja mëson jozyrtarisht se Dega e LSDM-së në Shkup këmbëngul që nëse “Fshesa” do ta përfshijë Ministrin e financave Dragan Tevdovskin, atëherë me të bashkë të jetë edhe Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Koço Angjushev.
Kërkojnë që të shkarkohen, o të dytë, o asnjëri. Siç dihet, Tevdovski vjen si kuadër nga dega e partisë në Shkup, e që udhëhiqet nga Radmilla Shekerinska, ndërsa Angjushev gëzon përkrahjen e liderit të LSDM-së Zoran Zaev.
Nga LSDM mohojnë se ka mospajtime brenda partisë. Nga atje thonë se gjithçka do të dihet në fund të qershor.
“Jo, nuk ekzistojnë mospajtime. Vendimi ka qenë i miratuar unanimisht që të bëjmë reforma dhe rikonstruim të qeverisë. Deri tani janë shkarkuar kryetarët e degëve të Komunave, gjithashtu edhe nënkryetarët dhe sekretari gjeneral, dhe gjithçka shkon hap pas hapi. Deri në fund të qershorit do të kemi krejtësisht qeveri të rikontsruuar dhe gjithsesi shkarkime të atyre që kanë treguar dobësi në punën e tyre”, u shpreh Tatjana Lalçevska nga LSDM-ja.
Nga ana tjetër TV21 mëson se Zaev, gjithashtu dëshiron që të bëjë balans gjinor në nivel funksionesh, andaj kërkon që ta rritë numrin e femrave në udhëheqësinë e dikastereve qeveritare.
Ne opinion përflitet qe nëse “fshesa” e përfshinë Tevdovskin atëherë atë do ta zëvendësojë drejtoresha aktuale e DAP-it Sanja Llukarevska, e cila duket qe gëzon përkrahje edhe nga komuniteti i biznesit për shkak të qasjes korrekte dhe partneritetit të mirë që ka krijuar me biznesin.
Analisti politik, Petar Arsovski thotë se kjo është për tu përshëndetur, ndërsa me rikonstrumin e Qeverisë sipas tij po vendoset parimi për llogaridhënie.
“Ajo që kryeministri Zaev dëshiron që më shumë femra të ketë në Qeveri është për të përshëndetur, sepse nuk ka femra mjaftueshëm në qeveri dhe përgjithësi në politikë. Ajo që mendoj që është mirë, është se po vendoset një parim për llogaridhënie. Ata që nuk kanë punuar të ndërrohen, ata që kanë punuar të mbeten. Nëse ky parim mbahet nuk është shumë me rëndësi kënd do ta ndërrojë Zaevi, ndoshta ata që nuk kanë punuar do t’i ndërrojë në të rikonstruimin e dytë ose në të tretin. Me rëndësi është që ministrat të mësohen se pozicionin që e kanë nuk ia kanë falë dhe nuk u takon me automatizëm”, tha Petar Arsovski, analist politik.
Burime të TV21 gjithashtu thonë se BDI në fazën e parë të rikonstruimit do të kërkon që të bëhen ndryshime në nivel drejtorësh, ndërsa për ministrat do të diskutohet më vonë.
Siç mëson Tv21, BDI me rikonstruimin e Qeverisë do të marr edhe disa drejtori të reja.
Por si do të shkoj rikonstruimi i qeverisë, do të mësohet ditëve në vazhdim.
Ndryshe para disa ditëve Kryeministri Zaev theksoi se nëse në qershor ose korrik, Maqedonia e Veriut nuk merr datë për nisje negociatash, ai tha se si opsion e sheh kthimin e mandatit.
Nëse vjen puna deri këtu, sipas Zaevit, hapen dy opsione të reja, formim i një qeverie të re ose zgjedhjet e parakohshme, për të cilat thotë se do të ishin të dëmshme për ekonominë.