Ligji për përdorimin e gjuhëve nuk do të ndryshohet. Partnerët e koalicionit LSDM-BDI gjejnë gjuhë të përbashkët. Dispozita kalimtare e Ligjit për gjuhët do t’i mundësojë pushtetit që zbatimin e ligjit në gjyqësor ta bëj përmes ndërtimit të kapaciteteve deri në muajin prill. Kryeministri Zoran Zaev thotë se vendi nuk kë nevojë për tensione si pasojë e Ligjit të gjuhëve.
Nëse flasim për ndryshim të ligjit, nuk besoj se do të kemi sukses. Por nëse flasim për zbatimin e tij në gjyqësor nuk besoj se nevojiten ndryshime. Ligjet që ndryshohen me 2/3 e kanë efektin e tyre. Neve edhe në ligjin aktual kemi një dispozitë e cila na jep mundësi deri në muajin prill, afat ky i cili na jep shansin që një numër të madh të çështjeve t’i zgjidhim. Kështu që mundet edhe pa ndryshime, e posaçërisht nuk na duhen tensione për Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Po e them edhe njëherë unë e kam propozuar ligjin, unë e kam mbrojtur dhe kam mbajtur konferenca për shtyp, LSDM-ja e ka mbrojtur më shumë se cila do parti në Kuvend – tha Zoran Zaev, kryeministër.
Kapacitetet do të ndërtohen në bazë të një plani aksionar mbi të cilin do të zbatohet në organet gjyqësore dhe jo vetëm.
Tashmë kemi një zgjidhje se si do zgjidhet kjo çështje. Në ligjin aktual ka një dispozitë kalimtare e cila thotë se duhet 1 vit që ligji të përshtatet me ligjet e tjera. Pra deri në prill kemi edhe 5 muaj kohë të mjaftueshme e cila nuk obligon asnjë ndikim të ligjit ndaj gjyqësorit dhe lëndëve. Është kohë e mjaftueshme për hartimin e kapaciteteve të duhura – u shpreh Bujar Osmani, zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.
VMRO-DPMNE-ja është e vendosur ta ndryshojë ligjin në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski në emisionin “Rruga Drejt” që transmetohet sonte në Alsat thotë se asnjë subjekt politik nuk do ta kundërshtoj koalicionin e ardhshëm me VMRO-në shkaku i ndryshimit të ligjit.
Konsideroj se derisa ligji ndryshohet në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, ligjeve dhe Kushtetutës, konfirmojmë se të gjithë ne duam të punojmë në përputhje me Kushtetutën. Vlerësoj se asnjë subjekti politik nuk do t’i pengojë të bëjë koalicion me VMRO-DPMNE-në sepse Kushtetuta dhe ligjet janë para dhe mbi gjitha dhe vetëm kështu mund të ndërtojmë shtetin e të drejtës – u shpreh Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Partia e Hristijan Micksokit është duke përgatitur amendamente për ndryshimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Partitë parlamentare shqiptare janë deklaruar se nuk e mbështesin nismën e opozitës maqedonase.