LSDM kërkon përgjegjësi nga Klekovski për situatën në Gostivar
LSDM-ja kërkoi përgjegjësi politike dhe institucionale nga ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, duke e akuzuar se opinioni nuk ishte informuar me kohë për rritjen e madhe të numrit të personave me probleme gastrointestinale në Gostivar.
Sipas partisë, mbi 2.000 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të të vjellave, diarresë, dhimbjeve të barkut, temperaturës dhe dehidrimit.
“Epidemia nuk shpërtheu brenda natës. Ajo u zhvillua për disa ditë para syve të institucioneve, të cilat lejuan që situata të përshkallëzohej”, deklaroi Natasha Popoviq nga LSDM-ja.
Partia ngriti edhe çështjen e pompave të vendosura në sistemin e furnizimit me ujë në Vërtok, duke pretenduar se përmes një pompe të paautorizuar ishte futur ujë nga lumi Vardar në tubacionin kryesor.
Këto pretendime po hetohen nga policia dhe Prokuroria. Deri tani nuk është konfirmuar zyrtarisht se pompat ose uji janë shkaku i vetëm i problemeve shëndetësore.
Qendra e Shëndetit Publik në Tetovë shpalli epidemi në rajonin e Gostivarit më 19 korrik. Ministri Klekovski deklaroi se masat shëndetësore ishin ndërmarrë edhe para shpalljes formale, ndërsa pacientëve u ishin siguruar kontrolle, ilaçe, infuzione dhe analiza laboratorike.
Ndalimi i përdorimit të ujit nga ujësjellësi i qytetit mbetet në fuqi, ndërsa analizat dhe hetimet për përcaktimin e shkakut dhe përgjegjësisë vazhdojnë. / Aktuale.mk
