Luboteni 3 ditë pa energji elektrike, eskalon protesta e banorëve para EVN-në

Banorët e Lubotenit të revoltuar ankohen se dy ditë me radhë janë pa energji elektrike dhe se kjo u ka shkaktuar dëme në kryerjen e obligimeve të përditshme.

Marketing

Banorët ankohen se EVN u faturon më shumë rrymë sesa harxhojnë dhe se nga defektet po u prishen aparatet elektrike dhe ushqimet e askush nuk ua kompenson këtë dëm. Ata protestuan para EVN-së në Butel, duke i kërkuar që sa më parë të zgjidhin këtë problem.

“Nuk kemi rrymë, unë i kam 4 fëmijë, dy i kam të sëmurë, vet jam invalid”,- tha një banor i Lubotenit.

“Prishen televizorët, frigoriferët, le të thirrin komision e të na shohin nëpër shtëpi se sa rrymë harxhojmë, mua më vjen fatura 18 mijë denarë, unë nuk jam fabrikë”,- theksoi një banor i Lubotenit.

“Rrymën ma kanë ndalur për një faturë që nuk e kam paguar dhe jam vonuar tri ditë, punoj në dyqan, nëse nuk e lëshojnë sot rrymën, unë duhet të paguaj penale”,- u shpreh një banor i Lubotenit.

“Unë e paguaj rrymën rregullisht, marr pension 9 mijë denarë, jam invalid dhe tani duhet të mos kem rrymë 2 ditë?”,- potencoi një banor i Lubotenit.

“Lubanca, Rashtaki, lagja Radishan, ata kanë të gjithë rrymë, i vetëm është Luboteni, me arsyetimin se izolatorët të cilët i kanë, kanë probleme. Mësimi nuk mund të zhvillohet në kushte normale, Luboteni ka 400 nxënës dhe kanë nevojë për rrymë, kanë nevojë për gjithçka dhe aty nuk funksionojë asgjë”,- deklaroi kryetari i Bashkësisë Lokale – Luboten, Riza Ademi.

Por, protesta e tyre e nisur thjesht si një protestë revolte, eksaloi kur disa prej tyre filluan të godasin me gjësende të forta godinën e EVN-së në Butel. Falë ndihmës së policisë, u shmang incident më i madh. Nga EVN thonë se defektet që shpesh paraqiten në rrjetin atje, rregullohen por përsëriten prapë, për shkak të rrjetit të vjetër të shpërndarjes që duhet të riparohet. Nga EVN thonë se riparimi i rrjetit pengohet nga disa banorë.

“Një arsye tjetër mund të jetë puna ilegale në rrjetin e shpërndarjes nga disa përdorues. Ekipi nuk ka qasje në atë pjesë, sepse janë të penguar nga një pjesë e banorëve për arsye të njohura vetëm për ta. Në këtë vendbanim ka edhe një numër lidhjesh të paligjshme, lidhje ilegale që shkaktojnë ndërprerje të furnizimit”,- thonë nga EVN.

Nga atje shprehin keqardhje për incidentin, paralajmëruan akuza penale ndaj atyre që shkaktuan dëm material në ndërtesën e EVN-së në Fushë Topanë dhe siguruan banorët e Lubotenit se janë të hapur për përdoruesit që duan të zgjidhin me qetësi situatën në këtë vendbanim

Marketing