Stoltenberg: Maqedonia e Veriut së shpejti në NATO

Republika e Maqedonisë së Veriut me mbështetjen e SHBA-ve dhe vendeve tjera aleate, së shpejti do të bëhet anëtarja e 30-të e Aleancës ushtarake Veri-atlantike. Kështu ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në fjalimin e tij para kongresit amerikan me rastin e shënimit të 70 vjetorit të themelimit të Aleancës së NATO-s.

Marketing

“Republika e Maqedonisë së Veriut këtë vit ka nënshkruar Protokollin për qasje dhe me mbështetjen tuaj së shpejti do të bëhet anëtarja e 30-të. Dera e NATO-s mbetet e hapur. Ajo që ka filluar në vitin 1949 me 12 anëtarë, është treguar si fuqi e madhe për paqe, Aleancë në të cilën të tjerët dëshirojnë të bashkohen. Kjo e tregon suksesin historik të NATO-s.”, deklaroi Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Ndërkaq sekretari shtetëror amerikan, Majk Pompeo në këtë eveniment ka njoftuar se departamenti i shtetit edhe zyrtarisht i ka dorëzuar tek Senati i SHBA-së të gjitha dokumentet e nevojshme për ratifikimin e Protokollit për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.

“Këtë vit po përgatitemi që ta pranojmë vendin e 30-të, Maqedoninë e Veriut, dhe me kënaqësi mund të them se javën e kaluar, formalisht i kemi dorëzuar dokumentet për ratifikim të protokollit në senatin tonë. Bashkërisht , anëtarët e Aleancës e përmirësojnë mbrojtjen e përbashkët. E përforcojmë prezencën tonë në rajonet e Baltikut dhe Detit të Zi. E rrisim gatishmërinë e forcave tona dhe e përmirësojmë rezistencën tonë ndaj kërcënimeve kibernetike dhe hibride të kohës moderne.“, deklaroi Majk Pompeo, Sekretari shtetëror i SHBA-së.

Në këtë ngjarje janë mbledhur të gjithë shefat e diplomacisë së vendeve anëtare në Aleancë, ndërkaq për herë të parë në takimin dy ditorë të ministrave të jashtëm të vendeve të NATO-s, zyrtarisht është ftuar edhe Maqedonia e Veriut, si anëtarja e ardhshme e 30-të, e përfaqësuar nga shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov.