Presidenti Xi Jinping ka bërë të ditur se Kina do të dërgojë më shumë ekspertë mjekësorë në Itali dhe do të sigurojë më shumë ndihmë në luftimin e koronavirusit të ri. Në një telefonatë me kryeministrin italian Giuseppe Conte, Xi Jinping tha gjithashtu se Kina e mbështet fuqimisht Italinë dhe ka besim të plotë në fitoren e saj mbi pandeminë. Ai shprehu edhe gatishmërinë e Kinës për të punuar me Italinë për të kontribuar në bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër COVID-19.
Conte tha nga ana e tij se arritjet e Kinës në kontrollin e sëmundjes kanë shërbyer si pikë referimi për Italinë dhe vendet e tjera, dhe e falënderoi Kinën për ndihmën dhe mbështetjen.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Geng Shuang, ka bërë të ditur se nëntë ekspertët mjekësorë të dërguar në Itali filluan punën e tyre menjëherë pas mbërritjes në Romë.
“Ekspertët kanë ndarë përvojë me Ministrinë italiane të Shëndetësisë, Kryqin e Kuq Italian, Institutin e Përparuar Italian të Shëndetësisë dhe Spitalin Kombëtar për Sëmundjet Infektive të Romës për trajtimin e pacientëve, përdorimin e ilaçeve dhe kontrollin e infeksionit brenda spitaleve, në përputhje me situatën pandemike në Itali“, pohoi Shuang.
Ai shtoi se ekspertët kinezë shkëmbyen ide me punonjësit mjekësorë italianë se si të rritet ndërgjegjësimi për mbrojtjen e publikut dhe stafit mjekësor. Ata më pas do të nisen për në veri të Italisë, që është prekur më rëndë nga pandemia.