“Urdhëri i presidentit është zbatuar.Kjo pjesë e misionit humanitar në Mariupol ka përfunduar”. Fjalët e zëvendëskryeministres ukrainase Iryna Vereshchuk shënojnë fundin e një makthi, por lënë një humnerë para luftëtarëve të barrikaduar në bunkerin e çelikut. Në fund të armëpushimit tre ditor për korridoret humanitare të shpallur nga Rusia nuk ka më civilë të bllokuar në bodrumin e fabrikës që është bërë simboli i rezistencës. Në Kiev, lehtësimi për shpëtimin e më të brishtëve me një mision të komplikuar në koordinim me Kombet e Bashkuara dhe Kryqin e Kuq, të ndërprerë disa herë nga bombardimet dhe përleshjet, tani i hap vendin shqetësimit për fatin e rreth dy mijë ushtarëve të mbrojtur deri më tani nga tunelet e ‘katakombeve’ Azovstal, duke përfshirë anëtarë të regjimentit Azov dhe trupa të formacioneve të tjera të ushtrisë.
Ndërsa konflikti, sipas NATO-s, po hyn në një “fazë vendimtare”, Duma ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për pjesëmarrje “drejtpërdrejt” në armiqësi. Në këtë klimë tensioni në rritje, sytë e Perëndimit janë përqendruar te 9 maji i Vladimir Putinit dhe te fjalimi që do të mbajë në Sheshin e Kuq për të festuar 77-vjetorin e fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj nazistëve, ku do të parakalojë edhe arsenali ushtarak. Lufta në Ukrainë po shkon drejt “javës vendimtare”, vlerësoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Megjithatë, ka vënë në dukje se aktualisht nuk ka asnjë shenjë nga Rusia për një “përshkallëzim” me Aleancën Atlantike.