Lufta në Ukrainë, Trump telefonon Putin

Presidenti i sapo zgjedhur i SHBA-së Donald Trump ka zhvilluar të enjten një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin për luftën në Ukrainë, raporton Washington Post.

Marketing

Trump telefonoi Putin nga resori i tij në Florida dhe e këshilloi që të mos intensifikonte konfliktin me Ukrainën. Sipas burimeve të Washington Post në kushte anonimiteti, Trump i kujtoi Putin praninë e fortë ushtarake amerikane në Evropë.

“Biseda u fokusua në arritjen e paqes në Evropë dhe Trump shprehu interes për bisedime shtesë për një zgjidhje të shpejtë të luftës në Ukrainë”, pohojnë burimet.

Qeveria ukrainase u informua për takimin me Putin dhe nuk kishte asnjë kundërshtim për mbajtjen e tij, thanë burimet.

Siç shkruan WP, bisedimet fillestare të Trump me liderët botërorë nuk zhvillohen me mbështetjen e Departamentit të Shtetit dhe përkthyesve zyrtarë amerikanë, pasi Trump dhe ndihmësit e tij nuk u besojnë zyrtarëve të qeverisë pasi transkriptat e thirrjeve presidenciale u zbuluan gjatë mandatit të tij të parë.