Lufta tregtare me Kinën, Apple paralajmëron Trumpin: E pësojnë amerikanët

Donald Trump ka paralajmëruar se ka gati për miratim një varg të ri tarifash, që do të mbulonin virtualisht të gjitha mallrat kineze që hyjnë në SHBA, teksa Apple njoftoi se lufta tregtare mes Amerikës dhe Kinës do t’i bëjë produktet e saj më të shtrenjta për konsumatorët amerikanë.

Marketing

Paketa e tarifave me vlerë 200 miliardë dollarë është shumë afër miratimit ndaj importeve kineze në SHBA, ndërsa raundi i ri i sugjeruar nga Trump do të përshkallëzonte ndjeshëm luftën tregtare me Kinën.

Shumë ekspertë ekonomie dhe investitorë janë të shqetësuar se kjo betejë do të ndikojë edhe në ekonominë globale. Kina ka kërcënuar të hakmerret, gjë që do të përfshinte edhe veprime kundër kompanive amerikane që operojnë atje.

Trump, i cili ka kërkuar prej kohësh që Pekini të bëjë ndryshime drastike në politikat e tij ekonomike, tregtare dhe ato të teknologjisë, u tha reporterëve në bordin e “Air Force One” se po tregohet “kaq i ashpër me Kinën dhe kështu duhet”.

“Tarifat 200 mld dollarëshe për të cilat po flasim mund të marrin efekt shumë shpejt, në varësi të asaj që ndodh me ata. Në një masë të caktuar, kjo do të jetë në duart e Kinës, – tha Trump. – E urrej ta them këtë, por përveç këtij kësti, kemi edhe një varg tarifash me vlerë 267 mld dollarë që mund të hyjnë në fuqi me një të rënë të lapsit, nëse do të dua unë. Kjo do ta ndryshonte tërësisht ekuacionin”.

Komentet e tij erdhën teksa Apple paralajmëroi se produktet e prodhuara në Kinë, si për shembull “Apple Ëatch” apo kufjet e “Air Pods” do të kushtonin më shumë, nëse Donald Trump do të përvijonte me tarifat 200 mld dollarëshe.

Në një letër drejtuar zyrtarëve amerikanë, si pjesë e konsultave mbi këto masa, kompania tha se edhe disa prej produkteve të tjera të saj do të prekeshin rëndë nga taksat.
“Shqetësimi ynë me këto tarifa është se, Shtetet e Bashkuara do të goditen më rëndë dhe kjo do të rezultojë në rënien e rritjes ekonomike të Amerikës dhe konkurrencës, sikurse edhe në çmime më të larta për konsumatorët amerikanë”, shkruan në letër kompania Apple.

Deri më tani, iPhone-t i kanë bërë bisht taksave, por nëse paketa e re 267 mld dollarëshe do të hynte në fuqi, ajo do të ndikonte edhe pajisjet më të shitura të Apple, që sjellin gati dy të tretat e të ardhurave prej 229 miliardë dollarësh të kësaj kompanie, referuar vitit të fundit fiskal.

Marketing