Ata thanë se luftimet po vazhdojnë jashtë ndërtesës ku ndodhen inkubatorët dhe se spitali ka mbetur pa rrymë dhe furnizimet po pakësohen. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka refuzuar thirret për armëpushim të menjëhershëm nëse ai nuk përfshin lirimin e pothuajse 240 pengjeve të hapura nga Hamasi, organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, në sulmet e 7 tetorit, që nxitën luftën.
Një ditë pasi Netanyahu tha se Izraeli po përdor “forcën e plotë” me synim që t’i japë fund sundimit 16-vjeçar të Hamasit në Gazë, banorët kanë raportuar për sulme të ashpra ajrore dhe granatime, përfshirë edhe rreth spitalit Shifa. Izraeli, pa ofruar dëshmi, ka akuzuar Hamasin se ka një komandë brenda dhe nën ndërtesën e spitalit, akuza që janë mohuar nga Hamasi dhe stafi i spitalit.
“Ata janë jashtë, jo larg portës”, tha Ahmed al-Boursh, banor që po strehohet në spital.
Gjeneratori i fundit i spitalit mbeti pa karburante të shtunën, duke çuar në vdekjen e tri foshnjave të lindura para kohe dhe katër pacientëve të tjerë, tha Ministria e Shëndetësisë. Edhe 36 foshnja janë në rrezik që të vdesin. Ushtria izraelite tha se ka vendosur 300 litra karburante afër Shifës gjatë natës për gjeneratorët që të furnizojnë me energji inkubatorët për foshnjat dhe ka koordinuar këtë dërgesë me zyrtarët spitalorë. Por, ushtria tha se Hamasi ka ndaluar që spitali të marrë këtë furnizim me karburante.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Ashraf al-Qidra, hodhi poshtë këto pretendime. Ai tha për Al Jazeera se karburanti i ofruar nuk do të ishte i mjaftueshëm që gjeneratori të funksiononte për një orë. “Kjo është tallje me pacientët dhe fëmijët”, tha al-Qidra. Duke folur për CNN, Netanyahu vlerësoi se “afër 100” persona ishin evakuuar nga Shifa dhe se Izraeli kishte krijuar korridore të sigurta. Por, nënsekretari i Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, Munir al-Boursh, tha se Izraeli ka dislokuar spajperistë rreth Shifas, që sipas tij, po gjuajnë ndaj çdo lëvizjeje.
Ushtria izraelite tha se trupat kanë ndihmuar në evakuimin e foshnjave të dielën. Por, Ndihma Humanitare për Palestinezët, një organizatë bamirëse nga Mbretëria e Bashkuar që ka ndihmuar njësinë neonatale në Shifa, tha se transferimi i foshnjave në gjendje kritike është një proces i ndërlikuar. “Me autoambulancat që nuk po mund të arrijnë në spital… dhe asnjë spital nuk ka kapacitet që t’i pranojë ata. Nuk ka asnjë tregues se si kjo mund të bëhet në mënyrë të sigurt”, tha drejtuesja e kësaj organizate bamirëse, Melanie Ward.
Sipas Ward, e vetmja mënyrë që foshnjat të mund të transferohen nga Shifa është nëse ndalen luftimet dhe lejohet që në spital të dërgohen karburante. Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi tha se janë 1.500 pacientë në Shifa dhe 1.500 punonjës shëndetësorë. Po ashtu, 15.000 deri në 20.000 persona janë duke u strehuar në këtë spital. Sipas Mjekëve pa Kufij do të duheshin javë që të evakuoheshin pacientët.
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, shkroi në X – që më herët njihej si Twitter – se Shifa ka mbetur qe tri ditë pa ujë “dhe spitali nuk është më duke funksionuar”. Ndërkaq, Gjysmëhëna e Kuqe palestineze tha se edhe spitali tjetër në qytetin e Gazës, Al-Qunds “më nuk është operacional” sepse kishte mbetur pa karburante. Sipas kësaj organizate, në këtë spital gjenden 6.000 persona.
Termocentrali i vetëm në Gazë doli jashtë funksionit një muaj më parë dhe Izraeli ka ndaluar importet me karburante me qëllim që të parandalojë që Hamasi t’i përdorë këto furnizime.
“Ne nuk duam të shohim luftime në spitale ku ka njerëz të pafajshëm, njerëz të pashpresë, njerëz që po kërkojnë trajtim mjekësor”, tha këshilltari për siguri kombëtare i presidentit amerikan, Joe Biden, Jake Sullivan.
Drejtori i spitaleve në Gazë, Muhammed Zaqout, tha se Ministria e Shëndetësisë në këtë territor nuk ka mundur të përditësojë numrin e të vrarëve që nga e premtja pasi që punëtorët shëndetësorë nuk kanë mundur të arrijnë në zonat që janë goditur nga bombardimet izraelite. Afër 2.3 milionë palestinezë gjenden në Gazën e rrethuar. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se çdo dëm ndaj civilëve është përgjegjësi e Hamasit. Izraeli e ka akuzuar këtë grup se operon në lagjet e banuara dhe përdor civilët si mburoja njerëzore. /REL