BBC raporton se sulmuesi i Manchester Unitedit, Romelu Lukaku, do të gjobitet nga klubi pasi që mungoi në seancën e fundit stërvitore, pa e marrë fillimisht lejen për një gjë të tillë nga klubi.
Belgu 26-vjeçari ka qenë duke u stërvitur me ish-klubin e tij, Anderlechtin, gjatë dy ditëve të kaluara, edhe pse të hënën e kishin pushim të gjithë futbollistët e Manchester Unitedit, transmeton Gazeta Express.
Lukaku nuk luajti në asnjë ndeshje të Manchester Unitedit gjatë turneut parasezonal në Azi dhe në Evropë. Trajneri Ole Gunnar Solskjaer kishte thënë se mungesa e belgut erdhi si pasojë e një lëndimi.
Klubet e Serisë A, Interi dhe Juventusi, vazhdojnë të jenë të interesuara për transferimin e sulmuesit belg të Manchester Unitedit gjatë këtij afati kalimtar.
Në korrik, Manchester Unitedi e kishte refuzuar një ofertë prej 54 milionë funtesh të Interit për transferimin e Lukakus.
Trajneri i gjigantit italian, Antonio Conte, e kishte konfirmuar gjatë kësaj vere se sulmuesi mbetet prioritet e tij për transferime, duke thënë: “Unë e konsideroj atë si lojtarin që mund ta përmirësojë skuadrën tonë”.
Lukaku iu bashkua “Djajve të kuq” nga Evertoni për një shumë fillestare prej 75 milionë funtesh në korrik të vitit 2017 dhe i shënoi 12 gola në ligë sezonin e kaluar.