Romelu Lukaku ka zbuluar se e ka zgjedhur Interin para Juventusit dhe Milanit, pasi e kishte kuptuar se do të largohej nga Manchester Unitedi verën e vitit 2019, si dhe ka thënë se trajneri zikaltër Antonio Conte e di se çfarë nevojitet për të fituar.
Ziklatrit janë duke luftuar kundër bardhezinjve për titull në Serie A këtë sezon dhe në verë ishin në garë edhe për shërbimet e sulmuesit belg, transmeton Gazeta Express.
Lukaku nuk pendohet aspak që iu bashkua Interit nga Manchester Unitedi në verë dhe tregon se ishte zgjedhja e tij, në fakt.
“Gjatë verës e dija se do të largohesha (nga Manchester United). Kam mundur të shkoja në Juventus apo Milan. Por desha t’i bashkohesha Interit dhe kur menaxheri ma kumtoi lajmin, festova nga gëzimi”, tha Lukaku për Sky Sports.
Interi është duke luftuar me Juventusin për titull në ligë dhe 26-vjeçari e pranon se skuadra e tij nuk guxon të bëjë asnjë gabim deri në fund.
“Nuk mund të bëjmë asnjë gabim deri në fund të sezonit. Ekipi është i fortë. Conte e di se çfarë nevojitet për të fituar, do ta shohim”, shtoi ai.