Luksemburg, paqartësi për fatin e Shkupit dhe Tiranës

Veçimi i vendimit për Maqedoninë e Veriut dhe vendimit për Shqipërinë raportohet të jetë propozimi i fundit në tavolinën e diskutimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian. Drafti i ri i presidencës finlandeze të BE-së do të mundësojë që të paktën Maqedonia e Veriut të marrë një vendim pozitiv kurse Shqipërisë t’i kërkohet përmbushja e kushteve të nevojshme para fillimit të negociatave. Takimi i ministrave zhvillohet me dyer të mbyllura por burime nga brenda për mediat theksojnë se Franca ka vazhduar të mbrojë qëndrimin kundër dhënies së datës.Sekretarja shtetërore për çështje evropiane e Francës Ameli De Montçalin, para fillimit të takimit deklaroi se qëllimi i Parisit nuk është vendosja e vetos.

Marketing

Unë nuk jam sot këtu për të vendosur veto. Do të kemi një shkëmbim mendimesh për faktin që Evropa duhet të përgatitet për rishikimin e tërësishëm të procesit të negociatave. Franca mbështet reformat të cilat prej disa muajsh janë zbatuar si parakusht për çeljen e negociatave dhe dua të riafirmoj qëndrimin se Franca konsideron se perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit perëndimor në tërësi është e arsyeshme. Nuk e kundërshtojmë këtë parim”-tha Ameli De Montçalin, sekretare shtetërore për çështje evropiane e Francës.

Përveç Francës, edhe Holanda ka kërkesa. Ministri i Jashtëm i Holandës Stef Blok deklaroi se vendi duhet të miratojë ligjin për prokurorinë publike.

Të dy vendet kanë bërë shumë përpjekje. Sa i takon Maqedonisë së Veriut mendojmë se është edhe një hap i rëndësishëm për t’u marrë sa i takon Ligjit për prokurorinë publike dhe nëse ky kusht plotësohet ne mendojmë se negociatat mund të fillojnë. Sa i takon Shqipërisë ne mendojmë se ka akoma punë për tu bërë dhe nuk janë akoma gati për të filluar negociatat”-theksoi Stef Blok, ministër i Jashtëm i Holandës.

Gjermania rikonfirmon qëndrimin e prerë, negociatat duhet të fillojnë.

Pozita e Gjermanisë është e pastër si kristiali; ne mbështesim fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe gjithashtu me Shqipërinë mbi bazën e votës së Bundestagut. Bashkimi Evropian mban përgjegjësi për paqen, stabilitetin, demokracinë dhe pajtimin në Ballkanin perëndimor. Kjo nënkupton që ne duhet t’i mbajmë premtimet tona”-pohoi Mihajl Rot, ministër i Jashtëm i Gjermanisë.

Në të njëjtën vijë është edhe komisioneri për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johanes Han, i cili ka shkuar në rrjetet sociale se takimi i sotëm është “Test për besueshmërinë e Bashkimit Evropian në Ballkanin perëndimor. Diskutim i vështirë përpara nesh, por shpresoj në dritë jeshile të merituar.”

Në tavolinën e diskutimit të ministrave, siç konfirmuan një ditë më parë burime nga qeveria, është edhe opsioni që negociatat të fillojnë dhe të zhvillohen paralelisht me përpilimin dhe miratimin e metodologjisë së re për anëtarësim, opsion të cilin e mbështet edhe Komisioni Evropian. Nëse ndiqet ky version, negociatat duhet të fillojnë e shumta në pranverë dhe po në të njëjtën periudhë të miratohet edhe metodologjia e re e anëtarësimit. Por, Parisi kërkon fillimisht miratimin e metodologjisë përpara fillimit të negociatave me vende të tjera aspirante.

Marketing