Lutkov: Artistët shqiptarë do të rikthehen në punë në AKVSh

33 artistëve të cilëve u janë skaduar kontratat e punës në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Shqiptare, së shpejti do të rikthehen në punë, pasi Ministria e Financave ka dhënë pëlqim për punësime. Këtë e bëri të ditur ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, i cili  bëri të ditur se e gjithë kjo situatë do të marrë një epilog në momentin që institucioni do të filloj me punë, pasi aktualisht të gjithë të punësuarit e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shqiptare janë në pushim kolektiv.
“Unë dorëzova kërkesë deri te Ministria e Financave, kemi mendim pozitiv, por në këtë moment, pasi tërë institucioni është në pushim kolektiv dhe ne nuk mund të arrijmë te drejtori. Kërkova nga Ministria e Kulturës që menjëherë ta kthejnë mbrapa, ta tërheqin drejtorin nga pushimi. Të vijë, do të bëjmë revizion të punës së tij. Do të shohim se çfarë ka ndodhur dhe në afat sa më të shkurtër do të shpallim konkurs për punësim të serishëm të atyre 33-34 të punësuar dhe në afat sa më të shkurtër do të kthehen në punë.”, – deklaroi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov.
Ministri thekson se nuk i ka marrë informatat në lidhje me skadimin e kontratave të artistëve të Ansamblit.
“Çështja nuk ishte vetëm për këta 34, çështja është zgjidhja e statusit të artistëve te diku rreth 160, të cilëve u ka skaduar mandati diku në muajin gusht. Por, unë nuk e kam marrë informatën se këtyre 34 u ka skaduar një muaj më parë. Pra, nëse do të isha informuar, do të mundeshim me zgjidhje ligjore t’i parashohim edhe ata. Që do të thotë se unë që nga momenti i parë si ministër, dorëzova ndryshim të ligjit që të zgjidhet ky problem, ai ligj ende është në procedurë kuvendore, por nuk i ka përfshirë këta 34, pasi ishin pak më herët.”, – theksoi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov.
Tanimë dy muaj, 33 artistë kanë ngelur në rrugë për shkak të mos vazhdimit të kontratave të punës. Artistët akuzuan drejtorin për mobing dhe keqtrajtim në punë, por të cilat drejtori Tolaj i hodhi poshtë. Ministria e Kulturës ka dërguar ekip për të inspektuar akuzat dhe pritet të hartojë raport mbi punën e drejtorit Tolaj.
Marketing