“Ma kthe adresën, stop diskriminimit”, shqiptarët protestuan në Medvegjë (VIDEO)

Shqiptarët në Medvegjë sot zhvilluan një protestë duke ngritur zërin kundër diskriminimit dhe shlyrjes së adresave të tyre.

Marketing

Me moton “Ma kthe adresën” protestuesit kanë nisur protestën pranë Këshillit Kombëtar Shqiptar, të prirë nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, deputeti Shaip Kamberi, afaristi medvegjas dhe kryetari i AFEDS, Muharrem Salihu, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, asambleistët shqiptarë në Medvegjë si dhe aktivistë të tjerë, përcjell INA.


Gjatë protestës pjesëmarrësit ngritën zërin kundër politikave diskriminuese dhe shpopulluese serbe ndaj komunitetit shqiptar.

“Diskriminimi i Serbisë ndaj komunitetit shqiptar ka arritur kufijtë e racizmit. Nuk ka mbetur asnjë familje shqiptare pa u prekur nga ky proces”, theksoi folësit gjatë protestës.

Protesta të tilla lidhur me shqetësimin për pasivizimin e adresave janë zhvilluar edhe në Preshevë dhe Bujanoc, por edhe në Prishtinë.

Komisioni Evropian dhe Ministria e Jashtme e Gjermanisë kohë më parë shprehën shqetësimin e tyre për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar se kjo praktikë bie në kundërshtim me obligimet e Serbisë për respektimin e të drejtave të pakicave.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve, prej vitesh, kanë paralajmëruar për diskriminim nëpërmjet çaktivizimit të adresave – gjë të cilën përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë e kanë mohuar.

Deri tani, sipas autoriteteve shqiptare në Luginë, janë pasivizuar rreth 6 mijë adresa në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ndërkohë që regjistrimi i fundit i popullsisë në Serbi numëroi rreth 62 mijë shqiptarë në këtë zonë.(INA)

ndiqe protestën KËTU