Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje që të ndalohen dërgesat e armëve për Izraelin, që kanë qenë kritike për kryerjen e operacionit hakmarrës të Izraelit në Gazë kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Mendoj se sot prioriteti është që ne të kthehemi të një zgjidhje politike, që ne të ndalojmë dërgimin e armëve për luftën në Gazë”, tha Macron për transmetuesin France Inter.
“Franca nuk po dërgon armë”, shtoi ai.
Franca nuk është një ofruese e madhe e armëve për Izraelin dhe vitin e kaluar dërgesat e pajisjeve ushtarake arritën deri në 33 milionë dollarë, sipas raportit vjetor për eksportin e armëve të Ministrisë franceze të Mbrojtjes. Shtetet e Bashkuara, ndërkaq, i kishin dërguar armë Izraelit vitin e kaluar në vlerë prej 3 miliardë dollarësh.
Në shtator, Britania njoftoi për pezullimin e eksporteve të armëve për Izraelin, duke u thirrur në “rreziqe reale” se ato armë mund të përdoren në shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar.
Macron përsëriti shqetësimin e tij mbi konfliktin në Gazë që po vazhdon pavarësisht thirrjeve të përsëritura që palët të arrijnë një marrëveshje armëpushimi.
“Mendoj se ne nuk po dëgjohemi. Mendoj se është gabim, përfshirë edhe për sigurinë e Izraelit”, tha ai, duke shtuar se konflikti po çon në “urrejtje”.
Ai po ashtu foli edhe për përshkallëzimin e dhunës mes Izraelit dhe Hezbollahut – grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e Libanit jugor – në Liban. Ai tha se ky përshkallëzim është “prioritet”.
“Libani nuk mund të bëhet Gaza e re”, tha ai.
Të hënën, më 7 tetor, shënohet njëvjetori i sulmit të paprecedent të kryer nga Hamasi në Izrael, që nxiti luftën në Gazë. Radikalët palestinezë vranë afër 1.200 persona dhe rrëmbyen afër 250 të tjerë.
Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë afër 42.000 palestinezë.