Bashkimi Europian duhet të prezantojë një sistem të ri automatik të shpërndarjes së emigrantëve të shpëtuar në Mesdhe. Për këtë u dakordësuan liderët e Francës dhe Italisë. Gjatë takimi me kryeministrin Giuseppe Conte në Romë, presidenti francez Emmanuel Macron kërkoi një politikë të re emigracioni.
“Ka një dritare mundësish për arritjen e një pozicioni të përbashkët, me qëllim që të gjitha vendet të solidarizohen në një farë forme ose në të kundërtën të ndëshkohen financiarisht”, tha Emanuel Macron, President i Francës.
Italia ankohet prej kohësh se është lëne e vetme në menaxhimin e qindra mijëra emigrantëve që kanë kaluar detin vitet e fundit, në kërkim të një jete më të mirë në Europë. Çështja ka trazuar marrëdhëniet mes Romës dhe Parisit, por ardhja në pushtet e një qeverie të re më pro europianë ne Itali, ka nxitur Macron të përpiqet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Conte e vlerësoi mbështetjen Macron për një sistem për menaxhimin e emigrantëve.
“Migracioni është një fenomen kompleks dhe ne italianët e dimë mirë këtë. Prandaj është thelbësore që Europa të kthejë faqe drejt një menaxhimi strukturor te fluksit dhe jo të bazuar tek emergjenca”, tha Giuseppe Conte. Emmanuel Macron është politikani i parë i nivelit të lartë nga Europa që viziton qeverinë e re mes të majtës dhe qendrës në Itali. “Kjo miqësi është e pashkatërrueshme”, tha Macron, në përpjekjen për t’i vënë kapakun tensioneve të mëhershme.