Në përmbyllje të vitit 2019 është bërë publike shifra konkrete sa i takon totalit të pasurive të konfiskuara të mafies italiane gjatë 5 viteve të fundit.Kështu mësohet se nga viti 2015 e deri më sot, krimit të organizuar vendas i janë sekuestruar 18 miliardë euro pasuri. 11 miliardë në para cash e 7 miliardë euro pasuri e patundshme. Kjo pasuri e marrë në dorëzim nga shteti është baras me 1 % të PPB-së kombëtare.
Guardia di Finanza Italiane ka investuar mbi 1 milionë euro në vit në aktivitetin e inspektimit në nivel kombëtar në të gjitha sektorët institucionalë për kapjen në kohë të shenjave të infiltrimit kriminal në ekonominë vendase.
Aktiviteti i Guardia di Finanzia është kryer në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Hetimore të Tatimeve e cila është krijuar që më vitin 1921 e ka kontribuar në procedurat e parandalimit e në operacionet e pastrimit të parave të pista, në piktura arti, diamante të çmuara apo gjetje arkeologjike me vlerë të veçantë.
Gjatë këtyre 5 viteve janë hetuar pasuritë e rreth 55 mijë personave e janë marrë në ekzaminim mbi 10 mijë produkte të tyre, mesatarisht 5.5 në ditë.