Maja Kocijançiq jep detaje rreth letrës së BE-së, dërguar Ramush Haradinajt

Zëdhënësja për Politikat e Jashtme të BE-së, Maja Kocijançiq, ka bërë të ditur se zyrtarët e BE-së, Federica Mogherini, Johannes Hahn dhe Cecilia Malmstrom, i kanë dërguar letër Kryeministrit Ramush Haradinaj.

Marketing

Në letrën e dërguar ata i kanë shprehur shqetësimet e BE-së rreth tarifave prej 100 për qind të vendosura ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, si dhe urgjencën për t’i revokuar ato.

Klan Kosova ka kontaktuar zëdhënësen Kocijançiq, dhe kjo e fundit ka thënë se në letrën e dërguar, është ritheksuar edhe oferta e bërë nga Komisionari Hahn në Prishtinë, rreth mënyrës se si mund të trajtohen ankesat e palës kosovare.

“Përfaqësuesja Mogherini, së bashku me Komisionarët Hahn dhe Malmstroem, i kanë dërguar një letër Kryeministrit Haradinaj, ku është shpjeguar qëndrimi i BE-së lidhur me tarifat dhe urgjencën për t’i revokuar ato”, ka thënë zëdhënësja Kocijançiq, për Klan Kosova.

“Aty është ritheksuar oferta e bërë nga Komisionari Hahn në Prishtinë, mbi mënyrën se si mund te trajtohen ankesat e palës kosovare. Përveç kësaj, letra gjithashtu mirëpret përkushtimin e Kryeministrit për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.