Makraduli: Amvisëritë, shkaktarët kryesorë të ndotjes

Problemi me ndotjen e ajrit vazhdon të mbetet aktual por sipas zëvendësministrit të ambientit, Jani Makraduli, shkaku kryesor i ndotjes në Shkup dhe Manastir janë amvisëritë që përdorin lëndë joekologjike për ngrohje, të detyruar edhe nga mungesa e mjeteve financiare për të blerë lëndë cilësore.

Marketing

“Realiteti dhe shkenca e thonë se në Manastir dhe në Shkup, fajtor kryesor për ndotjen është ngrohja e amvisërive. Për fat të keq shumë qytetarë jo nga ajo që dëshirojnë, por për shkak të statusit social, shfrytëzojnë lëndë për ngrohje që nuk janë ekologjike. Është detyra jonë që me mjete buxhetore në partneritet me kompanitë që këtë ta ndryshojmë pa u shkaktuar harxhime shtesë’,- tha zëvendësministri i ambientit, Jani Makraduli.

Ministri Makraduli vizitoi sot “RekBitollën”, ku për herë të parë pas dhjetë vitesh ka filluar procesin e trajtimit të pluhurit.

“MZT inzhenjering” ka fituar tenderin prej 22 milion denarësh. Projekti ka filluar në gusht të këtij viti dhe do të përfundojë në dhjetor. Përfundimi i projektit do të mënjanojë pamjet e viteve të kaluara në fushat e Mogillës dhe Novacit. Pas një janarit fillon plani tre vjeçar për ndërrimin e filtrave elektrostatikë, të cilat nuk janë ndërruar që nga viti 1980. Me këtë do të zvogëlohen emetimet e gazit prej 100 në 20, siç përshkruhet në rregulloren e planit operativ.

Aktualisht, vetëm kompanitë “Titan” dhe “Makstill” e kanë zgjidhur problemin e filtrave. Ende pritet që këtë ta bëjnë kompanitë “Jugohrom” apo edhe “RekBitolla” – që është kompani shtetërore. Makraduli bëri të ditur se “REK Bitolla”, si masë për uljen e ndotjes, tashmë ka mbjellë 20 mijë drunj bagremi, ndërsa do të mbjelle gjithsej rreth 50 mijë drunj të tjerë.