Një hulumtim i Shoqatës “Eko-Vetëdija” tregon se janë zbatuar vetëm 30% e masave të parapara për menaxhimin me ndotjen e ajrit.
Sipas zëvendësministrit të ambientit, Jani Makraduli, një problem i madh vazhdojnë të jenë objektet në pronësi shtetërore që ngrohen me naftë dhe dru, por ai informoi se në vijim është subvencionimi i ndryshimit të mënyrës së ngrohjes.
Sipas Makradulit, në 45 objekte arsimore në të gjithë vendin, ka ndryshuar burimi i energjisë, prandaj fëmijët nuk do të thithin ajër të ndotur. Ai thotë se këtë vit do të ketë 38 filtra në 38 objekte.
“Këto objekte janë kryesisht çerdhe dhe shkolla. Për shembull në komunën Qendër nuk do të ketë çerdhe apo shkollë fillore që do të ndot ajrin. Në Karposh jemi duke e përfunduar çerdhen në Vllae, edhe atje nuk do të ndotet ajri. Aerodromi nuk ka çerdhe apo shkollë që ndot ajrin. Flas për çerdhet dhe shkollat që i kemi si prioritet”,- deklaroi zëvendësministri i mjedisit jetësor, Jani Makraduli.
Disa eko-aktivistë, duke shprehur revoltën e tyre, ndërprenë konferencën e zëvendësministrit të ambientit jetësor me pankarte në duar, ku shkruhej “biznesmenët po pasurohen kurse qytetarët po helmohen”.
Të dhënat e sektorit civil tregojnë se 16 termocentrale në Ballkan ndotin njësoj sa 250 termocentrale në Evropë. Çdo vit në Evropë 400,000 njerëz vdesin para kohe si rezultat i ndotjes së ajrit