Maksuti: Akuzat e Ivanovit dhe VMRO-së, të pabaza, ‘impiçment’ për Ivanovin

Akuzat e presidentit, Gjorge Ivanov, dhe ato të VMRO-DPMNE-së në adresë të kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, janë juridikisht të pabaza.

Marketing

Shpallja e Ligjit për përdorimin e gjuhëve pa dekretimin e Ivanovit sqarohet në fusnotë dhe Xhaferi nuk ka shkelë as kushtetutën, as ligjin dhe as nuk ka keqpërdorë detyrën zyrtare, thotë eksperti për çështje kushtetuese, profesori universitar, Mersin Maksuti për TVM2.

Sipas tij, është pikërisht Ivanovi ai që shkeli kushtetutën dhe për një vit të plotë frenoi zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe.

“Fare nuk qëndrojnë akuzat e VMRO-së por edhe ato të presidentit Ivanov, se shpallja dhe hyrja në fuqi e Ligjit të gjuhëve, respektivisht ligjit që ka të bëjë me përdorimin e gjuhës shqipe, për arsye se, pikërisht kryetari i Kuvendit, z. Talat Xhaferi, shpalli Ligjin e gjuhëve në Gazetën Zyrtare, pikërisht si rezultat i shkeljes së vetë presidentit Ivanov, që i bëri kushtetutës më herët me mosnënshkrimin e ligjit në fjalë”,- tha profesori universitar, Mersin Maksuti.

Maksuti, si edhe më parë, udhëzon në dispozitat kushtetuese që parashohin sanksionimin e presidentit kur refuzon të ushtrojë detyrimet e tij kushtetuese.

“Përgjegjësia në këtë situatë, në radhë të parë duhet të iniciohet ndaj vetë presidentit Ivanov, që sipas Kushtetutës, në raste të tilla të shkeljes, përgjegjësia është “impiçmenti”, shkarkimi nga detyra”,- u shpreh profesori universitar, Mersin Maksuti.

Por, shumica parlamentare, edhe kur siguroi 80 vota për ndryshimet kushtetuese, nuk shfrytëzoi të drejtën, detyrimin dhe mundësinë që të ngrit procedurë dhe të shkarkojë presidentit Ivanov, i cili akuzohet për shkelje të kushtetutës në disa raste.

Përkundrazi, tani Ivanov dhe partia e tij amë, VMRO-DPMNE, akuzon kryeparlamentarin, Talat Xhaferi, se me dekretimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe shpalljen në Gazetën Zyrtare ka shkelur Kushtetutën dhe ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

VMRO-DPMNE madje ka paralajmëruar padi penale ndaj kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferit, dhe ndaj drejtorit të Gazetës Zyrtare, Martin Kostovskit.